Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi sot nga foltorja e Parlamentit mocionin për debat për çështjen e projektligjit të minimumit jetik, që sipas saj mazhoranca e ka refuzuar nga viti në vit.
Ligjvënësja demokrate theksoi se qeveria nuk e do minimumin jetik që e kanë të gjitha vendet e rajonit dhe BE-së, sepse paratë e buxhetit i përdor për koncesionet, prokurimet dhe aferat që janë nën hetim.
Ajo theksoi se nga buxheti jepen para tepër si rasti i tunelit të Llogarasë me 50 mln euro apo për inceneratorët me 450 mln euro, por nuk kalon minimumin jetik.
Gjithashtu Tabaku akuzoi qeverinë edhe për çështjen e pensioneve, duke shpjeguar se u rrit vetëm 600 lekë apo 200 lekë të vjetra në ditë, duke shpërndarë bonusin e fundvitit si rritje mujore.
Tabaku tha se 55% e familjeve shqiptarë nuk përballojnë dot muajin dhe ku për ushqime harxhohen mbi 40% e këtyre shpenzimeve.
Fjala e plotë e Jorida Tabakut:
“Kemi paraqitur disa kërkesa për mocion për debat, nga situata e zgjedhjeve, deri te minimumi jetik. Ka qenë objekt gjithmonë në Këtë kuvend, çdo vit, edhe këtë herë, por qeveria nuk siguron dot minimumin jetik edhe pas 13 vitesh pushtet. 40% e shpenzimeve janë për ushqime, mbi 90% e çmimeve janë më të larta se në BE. Shqipëria e fundit në rajon edhe për mbështetjen sociale, me të gjitha statistika jemi të fundit në Ballkan, na duhen 53 vite për të kapur BE-në në aspektin ekonomik.
Ky Parlament asnjëherë nuk ka menduar dhe mbështetur shumicën e qytetarëve dhe grupet e shumicës. Në momentin që flasim ende nuk është llogaritur minimumin jetik, shifrat tregojnë që 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin, nuk i dalin shpenzimet, nuk mbijetojnë dot.
Por çfarë bën qeveria shqiptare, a e ka sjellë projektligjin për minimumin jetik? Jo. Shifrat janë të qarta, por ajo refuzon që të sigurojë minimumin jetik që t’i përafrohet të ardhurave në Evropë.
I rrit pensionin pensionistëve 600 lekë në ditë, çfarë mund të bëjnë ata me 20 lekë në ditë.
Janë miratuar kontrata koncesionare, i keni kaluar këtu, portin e Durrësit, industritë e veçanta, por a keni sjellë një ligj për shtresat sociale apo në nevojë?
Nëse Shqipëria sot ka problem lidhet me varfërinë, kjo është arsyeja pse shqiptarët largohen. Mbi 600 mijë pensionistë jetojnë në mëshirën e qeverisë, edhe bonusin ua ka hequr dhe e ka shpërndarë në pagesë mujore si rritje dhe e quan rritje pensionesh. Ndërkohë që korrupsioni vazhdon dhe taksat rriten. Nga ana tjetër refuzon projektligjin për minimumin jetik. Por PD do e sjellë edhe njëherë tjetër këtë projektligj, si detyrim për standardet e munguara sociale, për ata qytetarë që e kanë të pamundur për të jetuar këtu dhe largohen. Vendet e rajonit e kanë, BE e ka, pse PS refuzon ta miratojë minimumin jetik? Për këtë kërkuam një debat, sepse buxheti i ka të gjitha mundësitë.
Keni buxhet që shkon për vjedhje, me fatura që janë aktualisht edhe nën hetim. Nuk paguhet infrastruktura, bujqit, shkuan 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë nga buxheti, 450 milionë euro të buxhetit shkuan për inceneratorët.
E kuptoj mazhorancën pse nuk e do minimumin jetik, por ne do vazhdojmë t’i sjellim, edhe të tjerat, edhe amendamentet”.
