Këtë të mërkurë, 19 nëntor 2025, Shqipëria pritet të përballet me reshje intensive dhe mot të paqëndrueshëm në shumicën e rajoneve. Sipas parashikimeve meteorologjike, ashtu si ditën e djeshme, edhe sot pritet një përkeqësim i motit me reshje të forta dhe stuhish, veçanërisht në zonat veriore dhe bregdetare.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet pritet të jenë të intensitetit të lartë, ndërsa në qarqe të tjera priten reshje më të moderuara. Në zona mbi 400 metra lartësi, reshjet mund të vijnë në formë bore, me rrezik ngricash dhe vështirësi në trafikun rrugor.
Gjatë ditës, temperaturat mesatare pritet të arrijnë rreth 16 gradë Celsius. Në mbrëmje, temperaturat bien ndjeshëm.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes i kanë bërë vazhdimisht apel dy ditët e fundit qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat malore dhe bregdetare ku rreziku i rrëshqitjeve apo përmbytjeve është më i madh.
Për ata që planifikojnë lëvizje me makinë, veçanërisht në rrugët malore, paralajmërohet shmangia e zonave me akumulim uji ose rrëshqitje dherash.
