Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë sot një verdikt shokues për familjarët e boksierit të ndjerë, Besar Nimani, duke i dënuar ata me masa drastike pas ngjarjeve të dhunshme që pasuan vrasjen e sportistit.
Sipas vendimit të dhënë pak orë më parë, vëllai i boksierit, Berat Nimani, është dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjykata e ka gjetur atë fajtor për tentativë vrasjeje dhe lëndim të rëndë trupor. Ngjarja bën fjalë për atentatin e ndodhur para gjykatës gjatë procesit gjyqësor, ku në shenjë hakmarrjeje u qëlluan me armë zjarri familjarët (babai dhe vëllai) e personit të akuzuar për vrasjen e Besarit.
Dora e ligjit nuk ka kursyer as motrën e boksierit të ndjerë. Ajo është dënuar me 5 vite burgim për përfshirjen e saj në këtë ngjarje që tronditi opinionin publik në Gjermani dhe komunitetin shqiptar.
Atmosfera në sallën e gjyqit ishte e rëndë, me të pranishme nënën dhe motrat e të pandehurve, të cilat reaguan me zë të lartë ndaj vendimit. Nëna shpërtheu në lot dhe u largua nga salla
Kujtojmë se Besar Nimani u ekzekutua në mars të vitit 2024 në Bielefeld. Dhimbja për humbjen e tij duket se e çoi familjen drejt vetëgjyqësisë, një veprim që sot u kushtoi lirinë dy anëtarëve të tjerë të familjes Nimani.
Ky vendim konsiderohet ndër më të ashpërit, duke mbyllur kështu një kapitull të dhimbshëm për familjen e njohur. /Prive
