IGJEO: Priten reshje intensive në Vlorë dhe Gjirokastër, në fundjavë dëborë në Alpe …

Situata e kushteve të motit mbetet shqetësuese. Pavarësisht reduktimit të reshjeve gjatë ditës së enjte, sipas specialistes së Institutit të Gjeoshkencave, Anira Gjoni, orët e vona të mbrëmjes do të rikthejnë sërish reshje intensive në disa qarqe.

“Do të jenë qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, ku pritet të kemi reshje intensive dhe lokalisht shkojnë deri në shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër, Korçë dhe Berat priten që reshjet të jenë mesatare dhe lokalisht intensive. Në pjesën tjetër të qarqeve presim që reshjet të jenë mesatare. Në të gjitha qarqet do të jenë të shoqëruara me stuhira”, tha Anira Gjoni, specialiste e IGJEO.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, situata mbetet alarmante në Vjosë për shkak se reshjet do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së premte.

“Për shkak të reshjeve me intensitet të shtuar, në të dyja qarqet, Gjirokastrën dhe Vlorën, mbetet në rrezik të lartë. Sa i takon lumit të Vjosës, rrezikon daljen nga shtrati pasi prurjet dhe nivelet e tij janë në rritje të vazhdueshme. Gjithashtu problematik shfaq edhe lumi Seman dhe Shkumbin, ku për shkak të reshjeve të shtuara përgjatë këtyre tre ditëve shfaqin rrezikshmëri për rritjen e nivelit të tyre”.

Sipas parashikimeve, në fundjavë ulen temperaturat duke sjellë reshje bore në veri.

“Përgjatë fundjavës presim të kemi kalimin e një fronti të ftohtë në vendin tonë, i cili do të sjellë edhe uljen drastike të temperaturave, ku në zonat malore presim që të shkojnë deri në -3 gradë. Përgjatë mbrëmjes të së shtunës dhe mëngjesit të së dielës do të kemi prezencën e reshjeve të dëborës, por kjo do të jetë në zonat malore, në Alpe. Pra, në lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit, ku mund të përmendim Thethin, gjithashtu edhe në veri-lindje të vendit”.

Nga ana tjetër, për ekspertët, nëntori është muaji më i lagësht i vitit dhe në këtë muaj bie rreth 70% e reshjeve vjetore.

“Prezenca e reshjeve të shiut përgjatë këtij nëntori është një sjellje normale e këtij muaji. Ajo çfarë ka qenë anormale, kemi patur mungesën e reshjeve“.

Deri në mbyllje të muajit nëntor, reshjet e shiut do të jenë prezente në mbarë vendin, por me intensitet më të ulët.

Next