Gazeta Panorama.al ka siguruar përgjimet e reja mes ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberi dhe ortakut të tij, Valter Begaj lidhur me abuzimet me tenderin për ndertimin e lotit të 4-të, të Unazës së Madhe. Per kete dosje është marrë nën hetim edhe Belinda Balluku, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, e cila u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së.
Gjatë bisedave, pjesë e dosjes së Belinda Ballukut, Valter Begaj zhvillon biseda me ish-kreu i ARRSH-së, Ervis Berberi, që shoqëria e tij “Net Group” sh.p.k, të kualifikohej në procedurën e prokurimit të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt “Studim Projektim Rikualifkim i Unazës Lindore, për lotet 4,5,6”.
Ndërkohë në mes hyn në lojë edhe një person me emrin Skerdi, për të cilin Ervis Berberi i dërgon sms ortakut të tij, Valter Begaj.
“Fol me Skerdin se i kam cuar shkrese per auditim”, shkruhet në mesazh, por biznesmeni i shprehet se “O trap po e ke ti shok me tepër se unë. Se kam unë. Mua do ma varte për të voglat, ma vari për të mëdhat prej teje. Kështu që fol vetë.”
Më datën 22 shtator të vitin 2020, pasi “Net Group” sh.p.k, së bashku me disa shoqëri të tjera, u kualifikua në fazën e parë të procedurës së prokurimit të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt “Studim Projektim Rikualifkim i Unazës Lindore, për lotet 4,5,6”, Valter Begaj ia dërgoi njoftimin ish-kreut të ARRSH-së.
“Ketu na kualifikuan. E hengrem kot atje. Te shohim tani”, i shkruan Valter Begaj.
Ndërsa Evis Berberi i kthen përgjigje: “Po ishalla. Nuk qahet mbi qumesht e derdhur”.
Përgjimet:
Evis Berberi: “Ja ta mendojme”.
Në orën 12:07, Valter Begaj: “Pa shaka Mendoje”.
Në orën 12:09, Evis Berberi: “Popo”.
Në orën 19:24, shtetasi Valter Begaj i dërgon shtetasit Evis Berberi, mesazhin zanor të regjistruar me emërtimin “PTT-20200713-EA0010.opus”, me përmbajtje: “Shoku përshendetje! Harrove me Altinin?! E bëri DST-në apo po flen gjumë?”.
Në orën 19:25, Evis Berberi: “Po neser mbaron”.
Në datën 14.07.2020, në orën 12:14, shtetasi Evis Berberi i dërgon sms shtetasit Valter Begaj, “Fol me Skerdin se I kam cuar shkrese per auditim”.
Në orën 12:14, shtetasi Valter Begaj i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet zanor, me përmbajtje: “O trap po e ke ti shok me tepër se unë. Se kam unë. Mua do ma varte për të voglat, ma vari për të mëdhat prej teje. Kështu që fol vetë.”.
Në orën 12:21, Evis Berberi: “Eshte the Tla airoporti, si dhe dërgon një listë me subjekte të ndryshme ekonomike (shoqëri tregtare dhe institucione).
Në orën 12:56, shtetasi Valter Begaj i dërgon shtetasit Evis Berberi, mesazhin zanor me përmbajtje: “Nuk shkoj me TIA-në unë. Flloin e ke shok vetë. Unë me Flloin as nuk flas.”.
Në datën 15.07.2020, në orën 20:34, shtetasi Valter Begaj i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet “Shif nesèr garat e ukt Nese te pelqen ndonjera e marrim Per zbatim”.
Në orën 20:34, shtetasi Evis Berberi telefonon shtetasin Valter Begaj dhe së bashku zhvillojnë një bisedë telefonike.
Në datën 22.09.2020, në orën 16:54, shtetasi Valter Begaj i dërgon shtetasit Evis Berberi njoftimin në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ku vërhet se shoqëria “Net Group” sh.p.k, së bashku me disa shoqëri të tjera, është kualifikuar në fazën e parë të procedurës së prokurimit të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt “Studim Projektim Rikualifkim i Unazës Lindore, për lotet 4,5,6”. Si dhe shtetasi Valter Begaj i shkruan: “Ketu na kualifikuan. E hengrem kot atje Te shohim tani”.
Në orën 16:56, Evis Berberi: “Po ishalla. Nuk qahet mbi qumesht e derdhur”.
Në datën 02.11.2020, në orën 19:57, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetasit Valter Begaj, linkun
“https://www.facebook.com/100044306385573/posts/3505146769508430/”.
Në orën 20:53, Valter Begaj: “E oa shperndare gjithe PD Aaaa se di
20:54, Evis Berberi: “E kemi ne baldushkun si supervizion?
Në orën 20:54, Valter Begaj: “Yes dhe nje tjetër Ka”.
Në orën 20:53- 20:54, Evis Berberi: “E kemi ne baldushkun si supervizion? Qendren e fshatiť”.
Në orën 20:54, Valter Begaj: “Yes dhe nje tjetër Aaaa se di Ke sakte”.
Në orën 20:54, Evis Berberi: “Kete pra”.
Në orën 20:54, Valter Begaj: “Por kemi”.
Në lidhje me bisedat e mësipërme, nga këqyrja e linkut të mësipërm, vërhet se hapet një status i publikuar në rrjetin social “Facebook”, nga profili i shtetasit B.K., në të cilin gjendet një video prej 32 sekondash, si dhe shkrimi: “Pinoku i Bashkisë vazhdon me prezantimin e fasadave, projekteve në 3D dhe propagandën e shfrenuar, si të vetmet shërbime që ka për t’u ofruar qytetarëve. E vërteta që shohin njerëzit në lagjet dhe fshatrat e tyre, është ajo që sado të përpiqet mashtruesi, nuk mund fshihet. Faktet janë kokëforta dhe s’ka formë propagande që i fshin dot. Ky është vetëm një shembull, se si pinoku i Bashkisë gënjen sy më sy dhe çeta e tij e aktorëve të propagandës, i mban ison në mënyrë të shëmtuar.”.
Nga këqyrja e videos që gjendet në këtë status vërhet se shfaqen pamjet e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
ORTAKËRIA
Ortakëria që u ushqye në vazhdim edhe gjatë kohës që Evis Berberi u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, edhe për shkak të portofolit që menaxhon. Detyrë në të cilën ai firmosi po ashtu 3 tendera, ku pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që rezultuan fitues, ishte dhe kompania ‘Net Group’ e mikut të tij, Valter Begaj.
Por si u lidh Evis Berberi me Valter Begajn dhe cila është kompania që shërbeu më tej për të kryer korrupsion dhe për të pastruar paratë?
Një kompani prestigjatore në duart e të dyve, të cilët e kishin shitur dhe rishitur disa herë, për të fshehur gjurmët e parave.
“Nga periudha shtator 2018-janar 2019, Evis Berberi ka qenë zotërues i shoqërisë ‘DAAM’, ku ishte aksioner i vetëm me 100% të kapitalit. Fillimisht kjo shoqëri është regjistruar me emrin ‘B-VAAL ENGI-10’ dhe më pas i është ndryshuar emri në ‘DAAM’ shpk. Evis Berberi e bleu këtë shoqëri me emërtimin fillestar për vlerën 100 mijë lekë nga themeluesi i saj Valter Begaj, në shtator të vitit 2018. Para se kjo shoqëri të ndërronte emërtimin në ‘DAAM’ shpk”, – thuhet në dosjen hetimore.
“LOJA” ME SHITJEN E KOMPANISË
Por ky nuk ishte marifeti i parë dhe i vetëm që zyrtari i lartë shtetëror Evis Berberi dhe biznesmeni Valter Begaj kryen me kompaninë e lartpërmendur. Kompani e cila brenda një kohe të shkurtër nga një shitje me vlera qesharake, u rishit në një shumë rekord. Por jo vetëm kaq, por në mënyrë absurde, pasi këtë kompani e bleu shtetasja Brunilda Buli, kjo e fundit ia shiti sërish aksionet biznesmenit Valter Begaj. Por këtë herë, me gjysmën e çmimit që e kishte blerë nga Evis Berberi.
“Më 31 janar 2019 Evis Berberi ia shiti kompaninë Brunilda Bulit në shumën e 500 mijë eurove. Ndërkohë që më datë 23 dhjetor 2021, Brunilda Buli ia shiti po këtë kompani biznesmenit Valter Begaj, në shumën e 200 milionë lekëve të rinj”, – thuhet në dosje. Por, këto nuk do të ishin xhonglimet e vetme me këtë kompani nga Evis Berberi dhe mikut i tij i vjetër, biznesmeni Valter Begaj. Pasi këtë herë në lojë, futet edhe një tjetër shtetas, administratori i ‘DAAM’ shpk, Ervis Lami, edhe ky i ndaluar nga SPAK, në akuzën ‘Korrupsion’ dhe ‘Pastrim parash’, por që tashmë ndodhet në ‘arrest shtëpie’.
“Më datë 21 shkurt 2022, Valter Begaj e shiti kompaninë në favor të Ervis Lamit në shumën e 200 milionë lekëve të rinj. Por më datë 29 mars 2022, Ervis Lami ia shiti kompaninë Valter Begajt kundrejt shumës prej zero lekë”, – thuhet në dosje.
Por, për të kuptuar se si kjo skemë funksionoi, SPAK-ut iu desh të sekuestronte celularët e drejtorit tashmë të arrestuar të ARRSH, Evis Berberi, hetime të cilat nisën në shtator të vitit 2023, pas të dhënave që u publikuan në media. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit vuri më pas në lëvizje Prokurorinë. Por ajo çka e fundosi drejtorin e ARRSH ishte zbërthimi i celularit “Samsung, S 23 Ultra”, në posedim të Ervis Lamit. Aty nga ku u zbuluan edhe komunikimet midis tij, Evis Berberit, Valter Begajt dhe Brunilda Bulit. Biseda të cilat nuk linin asnjë hamendësim sipas SPAK, se Evis Berberi ishte pronari de fakto i kompanisë ‘DAAM’ dhe e kontrollonte atë në mënyrë të tërthortë, teksa si zyrtar i lartë në administratë çonte para në llogaritë e tij nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
