Prej disa orësh godina e Kryeministrisë është në fokusin e të gjithëve, pasi Belinda Balluku dhe Ulsi Manja ndodhen në një takim me të parin e qeverisë Edi Rama. Pas raportimit se zëvendësja e tij, Balluku është pezulluar nga detyra nga GJKKO si masë sigurie në kuadër të hetimeve që po zhvillohen kundrejt saj, reagimet kanë qenë të shumta në opinionin publik dhe jo vetëm.
Megjithatë pritet me interes të shihet nëse Kryeministria do të dalë me ndonjë vendim, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur, ndërsa mësohet se mbledhja me dyer të mbyllura vijon. Në këtë mori lajmesh e tymnajash, lindin disa pyetje që mund të marrin përgjigje vetëm nga ana juridike.
Cilat janë skenarët që mund të ndodhin pas kësaj mbledhje? Nga mbajtja në detyrë e Belinda Ballukut e deri te një vendim i Ramës për të ndryshuar emra të rëndësishëm në kabinetin e tij qeveritar. Newsbomb.al ka analizuar shkurtimisht duke konkluduar në tre skenarë juridikë të mundshëm.
1.Kryeministri Edi Rama mund ta mbajë Belinda Ballukun në detyrë dhe firmat e saj si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë t’i vendosë zëvendësministri. Por përtej kësaj, qeveria ka nevojë për zgjidhje më konkrete. Në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, kush do të drejtojë kabinetin apo të marrë vendime në vend të të parit të qeverisë?
2.Padyshim që ka një skenar të dytë dhe jo vetëm kaq. Një rrugë e gjatë, një kalvar procedurash dhe pritjesh por që japin zgjidhje. Vendimi i GJKKO-së ndaj Belinda Ballukut mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit. Pas kësaj në varësi të vendimmarrjes, lëvizja e radhës mund të jetë rruga drejt Gjykatës së Lartë, ndërsa më tej mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Ajo që vlen të theksohet është se vendimi i pezullimit të saj ka fuqi vetëm tre muaj. Proceduralisht, Prokuroria dhe Gjykata mund të kërkojnë një shtyrje apo zgjatje të këtij vendimi, por vetëm me një muaj.
3.Një tjetër skenar që qëndron është dorëheqja e Belinda Ballukut ose Kryeministri Edi Rama ta shkarkojë atë. Në këtë mënyrë, detyrimisht në kabinetin qeveritar do të ketë ndryshime. Por i gjithë ky kalvar procedurash dhe vendimesh, nuk prek mandatin që Belinda Balluku ka si deputete e zgjedhur me vullnetin e qytetarëve, pasi pezullimi nga funksionet nuk të pezullon mandatin e fituar nga zgjedhësit.
