Një 75-vjeçare rezulton e zhdukur që prej mëngjesit të kësaj të premte në fshatin Progër të Devollit, i cili është përfshirë nga përmbytjet.
Mësohet se rreth orës 08:30, familjarët kanë denoncuar në polici zhdukjen e shtetases F.H., 75 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Sipas të afërmve, e moshuara është larguar nga banesa dhe nuk është rikthyer, ndërsa dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit.
Forca të shumta policie dhe ekipe emergjence ndodhen në terren që prej mëngjesit, duke ndihmuar banorët e zonës dhe vijuar kërkimet intensive për gjetjen e 75-vjeçares. Situata në fshat paraqitet e vështirë, pasi niveli i ujit vazhdon të jetë i lartë dhe vështirëson misionin e kërkimit.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Ditën e sotme që prej orëve të para të mëngjesit në Bashkinë Devoll, fshati Progër është përfshirë nga përmbytje.
Rreth orës 08:30, në fshatin Progër është denoncuar nga familjarët se është larguar nga banesa shtetësja F. H., rreth 75 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Në terren që prej mëngjesit ndodhen forca të shumta policie, që vazhdojnë të vijnë në ndihmë të banorëve të zonës, si dhe vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 75-vjeçares e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.
