Një shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, është arrestuar në Spanjë, raportojnë mediat spanjolle.
Ai kërkohet për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur u arrestua nga Policia Kombëtare në Vigo.
Burri, i cili ishte larguar nga Shqipëria për të shmangur një dënim të mundshëm deri në 30 vjet burg, u arrestua pasi paraqiti një dokument identifikimi të rremë.
Operacioni u krye nga oficerë të GOPD-së (Grupi i Operacioneve Speciale) të Stacionit të Policisë së Vigos, të cilët e kapën atë kur ai u identifikua si shtetas kroat.
Pas verifikimit të informacionit të tij, oficerët konfirmuan se ai ishte i listuar në një Njoftim të Kuq të Interpolit të lëshuar në maj nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri.
