Moti i keq ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në të mbjella, infrastrukturë, banesa dhe pemëtari edhe në qarkun e Korçës.
Një nga më të prekurat është zona rurale e Pogradecit dhe veçanërisht pjesa ku kalon lumi i fshatit të Vërdovës. Rrjedha e tij e rrëmbyeshme nga prurjet ka shkaktuar edhe probleme në unazë.
Banorët tregojnë vështirësitë që hasin, dëmet dhe rreziqet. Një prej tyre, Ferit Hafëzi, tha se uji i kalon pranë banesës dhe i ka prishur kanalizimet dhe murin. Ai shpjegon se nuk kalon dot për shkak të përroit të krijuar dhe dëmtimet e pësuara.
Edhe pse ka vendosur dërrasa në formë ure, rreziku mbetet. Kjo edhe për shkak se ka një familjar të sëmurë, të gjymtuar (me një këmbë) e që nuk mund ta lëvizë dot për problemet dhe nevojat që mund të ketë.
“Shikoni, këtu kishte edhe një urë, por edhe atë e ka marrë uji, e ka prishur. Brenda kam një të sëmurë, është pa këmbë, me 100 mijë leka e mbaj atë, vetëm ndihmë ekonomike merr ai, aq merr. Ai do ujë, po ujë s’ka. Tani s’kemi nga të dalim, jam bllokuar, vetëm me dërrasa. Ai s’del dot, ka nevojë, ka problemet e tija. Vetëm me dërrasë kalohet”, shpjegon Ferit Hafëzi.
I pyetur nëse Emergjencat kanë marrë masa në zonë për zgjidhjen e problematikës, banori shpjegon se edhe pse erdhën nuk arritën të bënin dot asgjë, madje kanë prerë edhe energjinë për arsye sigurie, pasi kanë dalë kabllot.
“Erdhën forcat e Emergjencës këtu që prej ditës së djeshme por nuk bënë dot asgjë. Madje prenë tubot e ujit dhe energjisë për arsye sigurie se ato kanë dalë hapur këtu nga ujërat e rrëmbyer, janë dëmtuar. Lumi ka shkatërruar jo vetëm urën, por edhe të gjithë rrugën dhe madje doli nga shtrati. Erdhën fadromat që penguan. Brenda kemi dëme të mëdha materiale nga përmbytja. U ngritën njerëzit gjithë natën se s’kishin çfarë të bënin. Hera e dytë që na ndodh, na e lëshojnë ujin edhe nga lart në momente të caktuara. Ndodhi edhe para një viti, shkaku kryesor është hapja e rezervuarit”, shpjegon banori.
Ai tregon edhe momentet dramatike të përmbytjes në fshat:
“Na hyri uji brenda, ka bërë dëme. E mora edhe të sëmurin se ishte në kat të parë dhe e ngjita sipër në të dytin se na hyri uji brenda. Dritat na i kthyen sot, se dje na i prenë për arsye sigurie, edhe uji po vjen”, thotë Feriti.
