Përmbytjet në Sarandë, evakuohen 25 familje, si paraqitet situata në qarqet e tjera

Përmbytjet e shkaktuara nga moti i keq kanë detyruar evakuimin e 25 familjeve në fshatin Çukë të Sarandës. Familjet do të akomodohen përkohësisht në çadra, ndërsa banorëve të tjerë u janë shpërndarë ndihma emergjente. Evakuimi u bë pas çarjes së argjinaturës një ditë më parë.

Situata nga moti i keq vazhdon të jetë problematike edhe në qarqe të tjera. Në Fier, lumi Seman ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa stalla dhe pemishte në Mbrostar. Në zonën e Ngurrëz Imësht në Lushnje, nën ujë mbeten 200 hektarë tokë bujqësore për shkak të daljes nga shtrati të lumit Seman.

Në Vlorë, niveli i lumit Vjosa luhatet nga 7.8 deri në 8.3 metra. Për dy ditë me radhë, lumi ka shfaqur ulje-ngritje të vazhdueshme, por pa rënë poshtë zonës së rrezikut. Strukturat e emergjencave civile dhe pushtetit vendor mbeten në gadishmëri përgjatë gjithë vijës së lumit dhe urës së Mifolit, ku janë identifikuar problematikat më të mëdha.
Në qytetin e Beratit situata është stabilizuar, ndërsa në fshatra banorët vazhdojnë të përballen me ujë në tokat bujqësore. Në bashkinë Dimal, disa banesa në lagjen Dafinë dhe fshatin Çiflik mbeten ende të përmbytura. Po ashtu, në bashkinë Kuçovë, në fshatin Tapi ka dëmtime në tokat bujqësore dhe sera.

Në qarkun Gjirokastër, rruga Suhë-Poliçan në bashkinë Libohovë mbetet e bllokuar dhe ura e Glinës në Bashkinë Dropull është dëmtuar. Në territorin e qarkut ka pasur reshje të dendura, ndërsa në Memaliaj 20 fshatra vijojnë të jenë pa energji elektrike.

Next