Një 87-vjeçare ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë kanë mbetur të asfiksuar nga tymi pas një zjarri që shpërtheu brenda një azili pleqsh në Torrita Tiberina, në periferi të Romës.
Në strukturë ishin të vendosur gjithsej 16 pacientë, ndërsa flakët u përhapën gjatë orëve të natës, duke shkaktuar panik te të moshuarit dhe stafi.
Zjarri mobilizoi disa ekipe zjarrfikësish, të cilët arritën të nxirrnin pacientët së bashku me punonjësit e emergjencës. Katër prej tyre u transportuan në spital për kontroll mjekësor, pasi kishin thithur sasi të konsiderueshme tymi.
Viktima u gjet në dhomën e saj në katin e parë të ndërtesës. Pas shuarjes së flakëve dhe garantimit të sigurisë, godina u vendos nën bllokim për hetime të mëtejshme mbi shkaqet e ngjarjes. Autoritetet italiane po vijojnë verifikimet për të përcaktuar se si nisi zjarri dhe nëse struktura përmbushte standardet e sigurisë për të moshuarit nën kujdes.
