Keni blerë djathë apo qumësht në rrugë? Eksperti zbulon analizat: Ja bakteri vdekjeprurës që u gjet, fatal për jetën

Emisioni “SEPSE nga Arestina Skenderi” i ka kushtuar një speciale temës së sigurisë ushqimore, sidomos produkteve që shiten në rrugë nga ambulantët apo fshatarët. Granit Sokoli bleu në rrugë, nën vëzhgimin e kamerës së emisionit “SEPSE”, qumësht, vezë, djathë, gjalpë dhe tregoi çfarë ka bërë me to.

Për “SEPSE” Sokoli ka treguar ekskluzivisht analizat që ka bërë më parë për qumështin dhe djathin të shitura në rrugë tek ambulantët apo fshatarët. Sokoli thotë se gjetjet e para janë alarmante.

“Qytetarët mashtrohen. Në analizat e qumështit që blemë në rrugë u gjet ujë i përzier brenda tij. Ky është mashtrim dhe rrezik për shëndetin. Bidonat nuk tregojnë asnjë standard sigurie. Përdoren disa herë, mbahen në kushte të papërshtatshme dhe askush nuk e di nëse lopët janë trajtuar me antibiotikë para mjeljes. Nëse konsumojmë qumësht me mbetje antibiotikësh, kur të kemi nevojë për trajtim mjekësor, antibiotiku nuk ka më efekt. Ky është rrezik real për shëndetin publik.” pohon Sokoli gjatë emisionit “SEPSE”.

“Djathi me bakter vdekjeprurës: Listeria… rrezikon 25% të konsumatorëve”

“Në djathë u gjet bakteri Listeria. Ky është një bakter i rrezikshëm, që mund të jetë fatal në 25% të rasteve, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët.”

Eksperti jep një paralajmërim të qartë:

“Mos blini kurrë qumësht apo djathë në rrugë. Janë produkte të pasigurta dhe mund të përfundojnë në fatalitet. Siguria ushqimore është zero”, pohon Sokoli gjatë emisionit “SEPSE”./ A2

Next