Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e plagosjes së 40-vjeçarit, Marilen Jata që ndodhi mbrëmjen e djeshme (23 nëntor) në zonën e Institutit.
Mësohet se Marilen Jata është qëlluar me armë zjarri nga shoku i tij, Fatmir Frroku, ku plumbi e ka kapur në këmbë. Ata më përpara kanë qenë shokë, por prej tre muajsh nuk flisnin me njëri tjetrin.
Mbrëmjen e së dielës i plagosuri sapo është futur në rrugicë, aty i ka dalë para autori ku e ke qëlluar me pistoletë. Menjëherë pas kësaj, autori është arratisur.
Pritet që oficerët e policisë të marrin në pyetje të plagosurin në Spitalin e Traumës për motivet dhe përplasjet që kishte me autorin.
Njoftimi i policise
Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimit ndaj Pronës dhe Jetës, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Ramadan Citaku”, një shtetas kishte plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin M. J., 40 vjeç, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit F. F., 36 vjeç, i cili, pas një konflikti për motive të dobëta, rreth orës 22:20 të mbrëmjes së djeshme, plagosi me armë zjarri në këmbë shtetasin M. J. Ky i fundit ndodhet në spital, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit F. F dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
