Greqia shpall ‘non grata’ gazetarin e njohur shqiptar, ja arsyeja e fortë e vendimit sipas tyre

Autoritetet e Republikës së Greqisë, kanë shpallur ditën e djeshme me statusin “non grata”, gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e cilësuar “të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik, duke ndaluar përjetësisht për të mos shkelur në territorin grek. Gazetari Hoxha, ka qënë ditën e djeshme duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës, kur është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Në sportelin e policisë kufitare, ku kryhet kontrolli i pasaportave për qytetarët që hyjnë në territorin grek, gazetarit Hoxha, i është komunikuar, se nuk mund të hyjë në Republikën e Greqisë, pasi përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendëshme të këtij shteti.

Pasi i është marrë pasaporta, ai është mbajtur për rreth një orë në policinë greke. Rreth orës 10:30 me orën lokale, i është komunikuar vendimi i autoriteteve greke, që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar.

Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendëshme, për shëndetin publik ose marrdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.

Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek.

Ky është një rast i përsëritur nga autoritetet greke ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë denoncuar apo ekspozuar aktivitete të paligjshme në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë apo në dëm të interesave kombëtare shqiptare. Një vendim i tillë është marr më parë për gazetarin e Top Channel Marin Mema, i cili nuk është lejuar më të shkel në territorin grek.

Pavarsisht se është një vend antar i Bashkimit Europian, shteti grek ka dëshmuar se vazhdon të njëjtën rrugë të penalizimit dhe diskriminimit ndaj gazetarëve shqiptarë, që “dëmtojnë” sipas tyre interesat kombëtare greke.

Gazetarit Hoxha i është komunikuar, se ky vendim është marrë në fillimin e vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian, kur në listën për eurodeputet të partisë në pushtet Nea Dimokratia (Demokracia e Re) e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis, kandidonte Fredi Beleri me shtetësi shqiptare dhe greke.

Gazetari Hoxha përveç se ka denoncuar publikisht aktivitetin e Bejlerit në “Masakrën e Peshkepisë” në vitin 1994, ku mbetën të vrarë dy Dëshmorë të Atdheut, është përballur dhe në procese gjyqësore në
Gjykatën Penale të Tiranës gjatë vitit 2023-2024.

Ndër të tjera, gazetari Hoxha e ka denoncuar aktivitetin e Bejlerit, në dëm të interesave shqiptare dhe në artikuj investigativ në median greke gjatë fushatës për zgjedhjet e parlamentit europian.

Për më shumë 23 vite, gazetari Artan Hoxha ka publikuar në media, kryesisht në Gazetën Shqiptare dhe televizionin News24, artikuj investigativ dhe dokumentare në lidhje aktivitete në dëm të interesave shqiptare, duke filluar nga skandali i ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, skandali i zhvarrimeve të eshtrave të fshatarëve të Kosinës për ti paraqitur ata, si martirë të ushtrisë greke të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Gazetari Hoxha ka publikuar një seri të gjatë ndër vite investigime në lidhje me Masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më vitin 1994, e cila përbën sulmin më të rëndë ndaj tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë që nga mesi i viteve ‘60-të të shekullit të kaluar. Kjo masakër u krye nga një komando e ardhur nga territori grek, e cila sulmoi repartin kufitar të Peshkëpisë në Gjirokastër, duke marrë peng për disa orë, 130 rekrutë të Ushtrisë Shqiptare dhe duke vrarë “Dëshmorët e Atdheut”, komandantin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini.

Gazetari Hoxha, në vijimësi ka sjellë prova dhe fakte, se në këtë ngjarje kanë qenë të përfshire pjestarë të policisë greke, shtetas shqiptarë anëtarë në organizatën paraushtarake ultranacionaliste MAVI(Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit), bashkë me Fredi Bejlerin. Në vitin 2018, gazetari Hoxha publikoi ekskluzivisht pamjet e ngjarjes së Bularatit, ku tregohej se shtetasi shqiptar me kombësi greke, Konstandinos Kacifas, nuk ishte një martir që po sulmohej pse mbronte simbolet kombetare greke, për një terrorist i armatosur me kallashnikov, i cili hapi zjarr frontal kundër policisë së Dropullit.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, gazetari Artan Hoxha bashkëpunoi me disa media të njohura greke në publikimin e artikujve që tregonin se si Fredi Bejleri kishte ndihmuar kriminelë shqiptarë ti shpëtonin burgimit dhe drejtësise greke, duke i paraqitur si minoritarë grek që kishin mbrojtur kishat ortodokse në Greqi.

Next