Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot një video në rrjetet sociale ku rikujton inaugurimin e disa muajve më parë të aksit rrugor Qukës–Qafë Plloçë, ceremoni e zhvilluar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e pezulluar nga detyra, Belinda Balluku. Në pamjet e publikuara nga Berisha, shihet momenti kur Rama dhe Balluku inspektojnë rrugën, të pritur me këngë, valle polifonike dhe me kulaç nga banorët e zonës.
Por vetëm pak javë pas inaugurimit, një shi i parë vjeshte ka qenë i mjaftueshëm për të shkaktuar dëmtime serioze të rrugës, një prej projekteve më të gjata dhe më të kushtueshme të infrastrukturës në vend. Sipas pamjeve të shpërndara nga Berisha, segmenti i sapohapur paraqitet i shkatërruar në disa pjesë: masa gjigante shkëmbore të shembura mbi asfalt, barriera mbrojtëse të shtrembëruara dhe zona të tëra të deformuara brenda pak sekondash.
Ngjarja është regjistruar pranë tuneleve të aksit Qukës–Qafë Plloçë, ku një rrëshqitje e madhe dheu dhe shkëmbinjsh ka bllokuar qarkullimin, e shkaktuar nga shirat e ditëve të fundit. Rruga, e cila synon të shmangë qarkullimin përmes Prrenjasit, Qafë-Thanës dhe Pogradecit, u inaugurua në shtator dhe ka një kosto prej 260 milionë euro.
