Një variant i ri i gripit, i njohur si nënklada K, po përhapet me shpejtësi në disa vende të botës dhe sipas ekspertëve mund të sjellë një tjetër dimër problematik në Shtetet e Bashkuara. Lloji i ri ka shkaktuar rritje të ndjeshme të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Japoni, ndërsa të dhënat e fundit sugjerojnë se përhapja ka nisur tashmë edhe në territoret amerikane.
Sipas CDC, aktiviteti i gripit në SHBA aktualisht është i ulët, por në rritje të shpejtë. Muajt e ardhshëm pritet të jenë sfidues, sidomos pas faktit që sezoni i kaluar i gripit ishte më i rëndi në gati 15 vjet, me të paktën 280 viktima fëmijësh.
Shumica e infeksioneve të këtij viti lidhen me virusin H3N2, ndërsa rreth gjysma e tyre i përkasin pikërisht nënkladës K, e cila shkaktoi sezon të ashpër gripi në Hemisferën Jugore. Një nga shqetësimet është se ky variant nuk qarkullonte gjerësisht kur u përzgjodhën përditësimet e vaksinës, megjithatë ekspertët theksojnë se mbrojtja nuk humbet plotësisht.
Richard Webby nga Spitali Kërkimor i Fëmijëve St. Jude thotë për CNN se vaksina mund të ketë pak rënie në efektivitet, por mbetet një armë e rëndësishme mbrojtëse. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar ka raportuar se varianti mbart shtatë ndryshime gjenetike, duke e bërë më të vështirë njohjen e tij nga sistemi imunitar. Pavarësisht kësaj, vaksina ka ulur rrezikun e shtrimit në spital me 75% tek fëmijët dhe 30%–40% tek të rriturit.
Një tjetër arsye shqetësimi është rënia e vaksinimeve. Farmacitë në SHBA kanë dhënë 26.5 milionë vaksina nga gushti në tetor, më pak se një vit më parë. Epidemiologia Jennifer Nuzzo shprehet se debatet rreth sigurisë së vaksinave kanë krijuar konfuzion dhe hezitim tek qytetarët.
Edhe Australia pa një rënie të vaksinimeve këtë vit dhe përfundoi me mbi 443,000 raste gripi, një paralajmërim për SHBA-në dhe vendet e tjera.
Tregues të hershëm në SHBA sugjerojnë se përhapja po rritet. Sipas rrjetit WastewaterSCAN, prania e gripit të tipit A në ujërat e zeza u rrit nga 18% në tetor në 40% në nëntor. Katër shtete – Maine, Vermont, Iowa dhe Hawaii – kanë kaluar tashmë pragun për aktivitet të lartë gripi.
Ekspertët theksojnë se edhe pa prova se varianti shkakton sëmundje më të rëndë, rritja e rasteve mund të rrisë ndjeshëm shtrimet në spital. Prandaj, specialistët këshillojnë qytetarët të mos presin.
“Nuk është tepër vonë. Shkoni dhe bëni vaksinën kundër gripit,” apelon Dr. Adam Lauring nga Universiteti i Miçiganit.
