Futbolli italian humbi sot një nga figurat e tij më të mëdha historike. Lorenzo Buffon, legjenda e portës së AC Milan dhe Interit, ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare në shtëpinë e tij në Latisana, pas një sëmundjeje të papritur.
Në kopshtin e vilës së tij vijon të valëvitet një flamur i vjetër kuqezi — simbol i një karriere të jashtëzakonshme.
Buffon konsiderohet një ndër portierët më të rëndësishëm të Italisë. I quajtur “Zoti i portierëve të San Siros”, ai fitoi katër tituj kampion me “Grande Milan” të epokës Gre-No-Li dhe një tjetër me “Grande Inter” të Helenio Herrerës. Ka qenë titullar i kombëtares dhe një emër i respektuar në të gjithë Evropën.
Edhe portierët legjendarë të së kaluarës e vlerësonin lart. Ricardo Martinez Zamora, ikonë spanjolle e viteve ’30, deklaronte: “Do të doja një djalë si Buffon.”
Lorenzo kishte edhe lidhje familjare me Gianluigi Buffon. “Gjyshi im dhe stërgjyshi i tij ishin kushërinj,” tregonte ai, mes batutave se dikur “Buffon ishte ai”.
I lindur më 19 dhjetor 1929, Buffon u rrit në një familje punëtore në Friuli. Fillimisht punoi si murator, përpara se prifti i fshatit ta vendoste në portë, duke zbuluar spontanisht talentin e tij. Në moshën 18-vjeçare u bë titullar i Portogruaro-s dhe shpejt ra në sy të Milanit.
Debutoi me kuqezinjtë më 15 janar 1950 në fitoren 5-1 ndaj Sampdorias, duke nisur një epokë të gjatë triumfesh: tituj, nderime dhe status prej ylli. Elegant, i gjatë dhe me stil të dallueshëm, Buffon tërhoqi vëmendjen e publikut edhe jashtë fushës.
Dashuria e tij me Edy Campagnolin, ikonën televizive të kohës, e shndërroi çiftin në një prej më të komentuarve në Itali. Vitet e famës u shoqëruan edhe me tensione sportive: rivalitete, debate me drejtuesit, e më pas kalimi te Genoa dhe rikthimi në Milano me Interin, ku fitoi Scudetto-n e pestë.
Pas një karriere të mbushur me suksese dhe një jetë plot ngjarje, Buffon mbetet sot një figurë e pazëvendësueshme e historisë së futbollit italian.
