Përmbytjet e ditëve të fundit kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në zonat bujqësore, ku toka dhe prodhimet e një viti të tërë janë mbuluar nga uji. Banorët, përveç pasojave të katastrofës natyrore, përballen edhe me atë që e cilësojnë si heshtje dhe braktisje nga ana e institucioneve shtetërore.
Një banore e moshuar nga Fieri tregon se tokat e saj dhe të djalit, të mbjella me ullinj, misër dhe kultura të tjera bujqësore, janë ende nën ujë. Sipas saj, katër dylymë tokë të djalit të saj janë tërësisht të përmbytura pas çarjes së argjinaturës.
E pyetur se nëse ndonjë komision për vlerësimin e dëmeve ka shkuar në zonë për të evidentuar situatën, ajo përgjigjet prerë: “Jo, jo. Mua s’më ka… nuk ka ardhur askush”.
Ajo shprehet se askush nuk ka trokitur në derën e saj apo të fqinjëve për t’i pyetur rreth dëmeve të shkaktuara, duke shtuar ndjenjën e braktisjes në një moment të vështirë.
Mes dëshpërimit, banorja e ka të pamundur të bëjë një vlerësim financiar të humbjeve. “Ku e di moj nëna,” shprehet ajo, duke treguar se përballë fuqisë së ujit që ka marrë gjithçka, vlera monetare është e pavlerësueshme.
E vetmja gjë që ka mundur të shpëtojë ishin dy rrënjë ullinj në një zonë më të lartë, ndërsa pjesa tjetër e prodhimit mbetet nën ujë.
Pjesë nga deklarata:
“Ullinjtë e mi edhe të djalit, ishin ujë. Djali ka katër dylym aty matanë kanalit, në ujë ishin të gjitha..
Mua s’më ka ardhur akoma asnjë për dëmet. Nëpër shtëpira, nuk na erdhi asnjë as këtë këtë radhë. Se edhe argjinatura priti, po dhe nuk arriti lart në argjinaturë se plasi matanë. Kam ullinj, kanë misër, mbjelli, çdo kulturë. Vajta pashë etëm dy ullinj që kisha lart anë e kanalit, se të tjerët ishin ujë”
