‘Në 1997 ishin 3 banda kryesore’, ish-drejtori i Policisë: Shqipërisë iu morën 550 mijë armë dhe 4 miliardë fishekë

Ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Veli Myftari zbuloi sot disa të panjohura lidhur me Shqipërinë e vitit 1997, kur bandat e krimit u përhapën nëpër vend.

I ftuar në A2 CNN, Myftari tregoi së në atë periudhë vepronin tre banda kryesore, që u shpërndanë në popull për të krijuar strukturat e tyre.

Duke e lidhur me ngjarjet me ish-pjesëtarë të bandave që po ndodhin së fundmi, Myftari tha se janë vazhdë e situatës së rreth 30 viteve më parë.

“Në 1997 kanë qenë 3 banda kryesore. Këto lindën si rezultat i veprimeve të gabuara të kohës. U dëmtua sistemi ekonomik, duke i marrë paratë njerëzve me firmat piramidale… dhe populli u ngrit.

Iu morën Shqipërisë 550 mijë armë të asaj kohe dhe 4 miliardë fishekë. U shpërndanë në popull dhe kur mundëm të krijojmë strukturat për t’i grumbulluar këto armë, kemi kthyer vetëm 1/3 e atyre armëve. Të tjerat janë trafikuar. Njerëzit u mësuan me armë nëpër duar. Armët i morën kriminelët, të cilët u përfeksionuan nëpër grupime. Në mes të Elbasanit është bërë luftë për 24 orë, sikur të ishim në luftë frontale. Ka pasur raste në Fier, në Shkodër.

Kjo është vazhdë e asaj historie që vjen edhe në këto ditë. Ky kontingjent që ka mundësi për të vrarë u shfrytëzua për ngjarjet që po i shikojmë edhe sot”,-tha Myftari.

Next