Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “non grata” nga Greqia, ndërsa media greke “Protothema” pretendon se një postim i tij ka qenë shkaku i vendimit nga ana e autoriteteve greke. Sipas medias, bëhet fjalë për një postim të vitit 2024, ku gjatë një vizite në Konicë, gazetari protestoi publikisht mungesën e një flamuri shqiptar.
“Në janar të vitit 2024, Artan Hoxha udhëtoi për në Greqi dhe kaloi pushimet në Konicë. Atje, ai qëndroi nën një vend në urën historike ku është vendosur flamuri grek dhe bëri me duart e tij simbolin e Shqipërisë së Madhe. “Në mungesë të një flamuri të kuq në urën 150-vjeçare prej guri… unë bëra shqiponjën me dy koka…”, tha ai në një postim, sipas artikullit të Protothema.
Artan Hoxha është ndaluar ditën e dielë që të hyjë në Greqi, dhe i është bërë me dije statusi “non grata” nga shteti fqinj. Hoxha ka qenë duke kaluar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në momentin që është ndaluar nga autoritetet greke, me argumentin që përbën një kërcënim për rendin publik. Gazetarit i është marrë pasaporta, dhe është mbajtur për rreth një orë i ndaluar nga autoritetet greke.
Në dokumentin që iu dorëzua thuhet se ai “Është karakterizuar si person i padëshirueshëm; Konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së”.
Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek, ndërsa statusi non grata nuk ka afat, çka do të thotë që është i përjetshëm, nëse nuk ka një vendim të dytë nga autoritetet vendase.
