Prej më shumë se një jave vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar daljen e disa lumenjeve nga shtrati dhe përmbytjen e qindra hektarë tokë bujqësore.
Po si parashikohet moti në ditët në vijim?
Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në një studio televizive tha se gjatë mbrëmjes së sotme do të kemi rikthimin e reshjeve të shiut.
“Nga mbrëmja e sotme presim rikthimin e reshjeve me intensitet të shtuar. Në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës reshjet do të jenë shumë intensive. Në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Elbasanit dhe Dibërs reshjet do të jenë intensive, teksa në qarqet e tjera do të jenë në nivel mesatar”, tha Gjoni teksa shtoi se reshjet do të jenë të shoqqruar me shtrëngata.
Gjoni nënvizoi se ky rikthim i reshjeve do të shtojnë edhe prurjet në lumenj.
“Reshjet që do bien sot do të risjellin prurje të lumenjëve Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Reshjet do të vijojnë deri në fund të muajit” tha ajo.
Ndërkohë në zonat malore kryesisht në veri dhe lindje mbi nivelin 1000 metër do të kemi reshje dëbore. Sa i përket zonave bregdetare problematikë paraqitet era e fortë.
