Një 23-vjeçar shqiptar është dënuar me burg në Britani, pasi u kap duke shpërndarë drogë dhe duke drejtuar mjetin pa leje e pa siguracion në zonën e Slough.
Enes Spahiu, me banim të paspecifikuar, ka pranuar fajësinë për posedim me qëllim shpërndarjen e lëndës narkotike të klasit A (kokainë).
Gjithashtu ai ka pranuar edhe akuzat për drejtim mjeti pa patentë, pa siguracion, si dhe për posedim të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.
Gjykata e Reading e dënoi me 1 vit e 10 muaj burg, ndërsa urdhëroi edhe sekuestrimin e shumës së parave të gjetura.
Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator, kur oficerët e Thames Valley Police kanë ndaluar Spahiun në Tuns Lane, Slough.
Ai u ka dhënë policëve të dhëna të rreme, pasi nuk kishte patentë dhe siguracion. Gjatë kontrollit të automjetit, oficerët kanë gjetur një sasi të madhe dozash kokaine të ndara gati për shitje, si edhe para cash.

23-vjeçari u arrestua menjëherë dhe u akuzua ditën pasuese.
Hetuesi i çështjes, PC Tom Hughes-Parry, deklaroi se nuk tolerohet shpërndarja e drogës në komunitet dhe se policia do të vijojë luftën kundër kësaj veprimtarie që, sipas tij, shpesh prek njerëzit më të brishtë të shoqërisë.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në luftën ndaj trafikut të drogës.
