Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, sot do të kishte shënuar 70-vjetorin e lindjes. Ai erdhi në jetë më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, si djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Shkollën e mesme teknike e përfundoi në Skenderaj dhe shumë shpejt u përfshi në strukturat e para të organizimit ushtarak shqiptar në Kosovë.
Pas suprimimit të institucioneve të Kosovës në vitin 1990, lëvizja për organizim të armatosur mori një tjetër drejtim. Më 3 nëntor 1991, një grup veprimtarësh — mes tyre edhe Adem Jashari — u nisën drejt Shqipërisë për trajnim dhe përgatitje ushtarake, duke vendosur themelet e asaj që më vonë do të bëhej UÇK-ja.
Shërbimet sekrete serbe identifikuan aktivitetin e grupit, dhe më 30 dhjetor 1991, forcat policore-ushtarake serbe ndërmorën një aksion për kapjen e Jasharit. Pas një përleshjeje të ashpër, ai dhe bashkëluftëtarët e tij kaluan në ilegalitet, ku qëndruan deri në shpërthimin e hapur të luftës çlirimtare.
Intensifikimi i aksioneve të UÇK-së u bë i dukshëm në shtator të vitit 1997, kur brenda një dite u sulmuan 12 stacione policore serbe. Përplasjet u rritën dhe shumë shpejt u kthyen në beteja të hapura.
Një prej këtyre betejave ndodhi në fund të nëntorit 1997, në Rezallë të Re. Adem Jashari, së bashku me Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Sylejman Selimin, Ilaz Kodrën dhe Ilaz Dërgutin, arritën të ndalonin një kolonë të rëndë serbe që synonte operacione në zonën e Vojnikut. Kjo u konsiderua fitorja e parë e njësive të UÇK-së dhe pati jehonë të madhe në opinionin publik.
Ndërkohë, shtëpia e familjes Jashari në Prekaz ishte prej kohësh në shënjestër të forcave serbe. Më 5 mars 1998, që në orët e para të mëngjesit, filloi një rrethim i gjerë policor e ushtarak. Forcat serbe përdorën artileri të rëndë dhe sollën përforcime nga Klinë, Mitrovicë dhe Gllogovc, ndërsa brenda shtëpisë gjendeshin pothuajse të gjithë anëtarët e familjes.
Lufta dhe qëndresa heroike zgjati tri ditë, nga 5 deri më 7 mars 1998 — ngjarje që sot njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Jashari mbetet simboli më i fuqishëm i rezistencës për liri. Figura e tij ka marrë vlerësime të vazhdueshme edhe nga personalitete ndërkombëtare. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernard Kouchner, ka deklaruar se “nëse do të ekzistonte një Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij”.
Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, komandanti është nderuar me titullin Hero i Kosovës, një mirënjohje që përmbledh kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit.
