Ekzekutimi i biznesmenit/ Gjendet në Durrës një tjetër automjet i përfshirë në ngjarje, 15 persona…

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e mbrëmjes së dielës në Elbasan, ku u ekzekutua me armë zjarri biznesmeni 43-vjeçar Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka.

Burime policore konfirmojnë se përveç “Audi”-t të djegur të gjetur në Mirakë, policia ka identifikuar edhe një tjetër automjet të dyshuar si të përfshirë në ngjarje. Ky automjet është lokalizuar në qytetin e Durrësit dhe është sekuestruar për ekspertizë të thelluar, pasi dyshohet se mund të jetë përdorur në fazat përgatitore ose pas ekzekutimit. Të dy automjetet po analizohen nga ekspertët e kriminalistikës për gjurmë biologjike, daktiloskopike dhe provë materiale që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Mehalla u gjet i vrarë brenda automjetit të tij të parkuar pranë biznesit të tij në Unazën Jugore. Sipas ekspertëve, ai është qëlluar me tre plumba, dy prej tyre në kokë. Biznesmeni, sipas të dhënave paraprake, sapo kishte dalë nga zyra e tij dhe ishte futur në mjet në momentin e sulmit. Përplasja që pati disa ditë më parë për shkaqe ende të paqarta po merret seriozisht si një nga pistat kryesore të hetimit.

Ditën e sotme, në vijim të veprimeve hetimore, u gjet në fshatin Mirakë një automjet tip “Audi”, i djegur plotësisht, i dyshuar si mjeti me të cilin autorët u larguan nga vendngjarja. Ky zbulim, së bashku me automjetin e dytë të identifikuar në Durrës, po konsiderohen si prova kyçe për zbardhjen e skemës së atentatit. Ndërkohë, policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e qytetit dhe vijon kontrollet në terren, në banesa dhe rrugë dytësore.

Të paktën 15 persona janë shoqëruar deri tani dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e vrasjes. Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, po punon për mbledhjen e çdo prove, përfshirë këqyrjen e pamjeve filmike të zonës, që mund të ndihmojnë në identifikimin e atentatorëve. Burime zyrtare konfirmojnë se Mehalla kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Next