Mattheo Dimareli po shndërrohet me shpejtësi në një nga emrat më të përfolur të futbollit të të rinjve në Shtetet e Bashkuara. I lindur në SHBA nga një nënë meksikane dhe një baba shqiptar, 16-vjeçari po tërheq vëmendjen e mediave për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe historinë e veçantë familjare.
Anësori i majtë, i njohur për shpejtësinë, teknikën e rafinuar dhe goditjet e fuqishme, ka debutuar së fundmi me përfaqësuesen e të rinjve të Meksikës. Vetëm pak ditë më parë ai shënoi golin e tij të parë me fanellën meksikane në përballjen ndaj Kosta Rikës, duke impresionuar me paraqitjen e tij dhe duke marrë vlerësime të shumta.
Dimareli është aktualisht pjesë e akademisë së Houston Dynamo në MLS, ku po spikat si një talent në ngjitje të shpejtë dhe po vlerësohet si një ndër lojtarët më premtues të brezit të tij.
Ajo që e bën edhe më të veçantë 16-vjeçarin është fakti se ai mund të përfaqësojë deri në katër kombëtare të ndryshme: Meksikën, Shtetet e Bashkuara, Shqipërinë dhe Greqinë. Për momentin, e ardhmja e tij ndërkombëtare mbetet e hapur, ndërsa performancat e fundit tregojnë se ky është një emër që pritet të dëgjohet gjatë në vitet e ardhshme.
