Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka nisur një tur takimesh që sipas tij synon të ringrejë, fuqizojë dhe ripërtërijë partinë. Salianji e nisi foltoren e tij këtë të mërkurë nga qyteti i Durrësit.
Por përpara takimit, strukturat lokale të Partisë Demokratike kanë shpërndarë një mesazh paralajmërues për anëtarët e saj, duke iu kërkuar të mos marrin pjesë.
Në mesazhin që ka qarkulluar dje dhe sot, dhe që u është dërguar demokratëve nga kryetarët e degëve 1 dhe 2, Ard Muka dhe Osman Stafa, theksohet se “persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat”, duke e cilësuar këtë si “fund e krye dezinformim”.
Në mesazh theksohet se PD është e angazhuar aktualisht në betejën kundër aferave korruptive të qeverisë dhe në procesin e brendshëm të analizës, duke u distancuar nga takimet e thirrura nga Salianji: “Ndaj ne, si anëtarë të PD-së, distancohemi nga këto të ashtuquajtura takime të njoftuara për nesër, datë 3 Dhjetor.”

Megjithatë, pavarësisht këtij mesazhi drejtuar anëtarëve demokratë, në takimin takimin e Salianjit në Durrës morën pjesë dhjetëra anëtarë të PD-së.
Salianji deklaroi nga Durrësi se PD duhet të udhëheqë ndryshimin që shqiptarët presin, duke pranuar se përveç mungesës së zgjedhjeve të ndershme me qeverinë aktuale, opozita ka dështuar edhe për shkak të paaftësisë së saj.
“PD duhet të hapet, të rinovohet, të besojë te brezi i ri dhe të kombinojë përvojën me freskinë,” u shpreh Salianji, duke shtuar se mosdëgjimi i demokratëve është “një gabim i rëndë” që pengon rritjen e partisë.
Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur turin e foltoreve krahas “parlamentit” që zhvillon çdo javë para kryeministrisë.
