Të tjera pamje kanë dalë nga ekzekutimi i biznesmenit Mond Mëhalla, mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor) në Elbasan.
Siç shihet në videon e mëposhtme në media, kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur autori i dyshuar Marselo Arani, shkon në parkim merr automjeti tip “Audi”, që dyshohet se e përdori në atentat dhe largohet nga aty.
Biznesmeni, Mëhalla u ekzekutua në automjetin e tij. Ekzekutimi i tij dyshohet se ka të bëjë me mosmarrëveshjet për ndarjen e normës së fitimit në biznes.
Sipas burimeve edhe incidentet e fundit mes viktimës dhe ortakut të tij, 32-vjeçari Xhino Ago, kanë pasur si shkak këtë çështje.
Policia arrestoi një ditë më parë ortakun e viktimës, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor Xhino Ago. Po ashtu u arrestua roja i karburantit Kujtim Pisha, 52-vjeç, për “Moskallëzim i krimit”.
Në kërkim u shpall Marselo Arani 32 vjeç, banues në Elbasan dhe Armando Kola 35 vjeç, banues në Laç, të dyshuar si të përfshirë në vrasje gjithashtu. Ndërkohë këtë të mërkurë u arrestua dhe një person i tretë i përfshirë në vrasje, Nevzat Spaho, 29-vjeç. Policia pritet të specifikojë rolin e secilit.
Pas 24 orësh, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes, Marselo Arani dhe Armando Kola.
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në pranga janë vënë shtetasit Xhino Ago, 32 vjeç, bashkëpunëtor i biznesmenit të vrarë, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, dhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Ago, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Arani.
