Ish-nënkryetarja e Parlamentit Europian, Eva Kaili, një nga figurat kryesore të skandalit të njohur si “Qatargate”, është përmendur në një hetim të ri që lidhet me mashtrimin në një tender publik të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm, lidhur me Akademinë Diplomatike të BE-së dhe rolin e ish-shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
Duke folur nga Abu Dhabi për gazetën italiane La Stampa, Kaili u shpreh se ishte “e tronditur”, por jo e befasuar nga hetimi, i cili po shqyrton nëse tenderi për pritjen e Akademisë Diplomatike të BE-së është manipuluar në favor të Kolegjit të Europës, ku Mogherini shërben si dekane.
Ajo deklaroi gjithashtu se “Belgjika nuk është një vend i sigurt për politikanët, veçanërisht për ata italianë”.
Në kuadër të hetimeve, Mogherini dhe ish-drejtori i politikës së jashtme të BE-së, Stefano Sannino, u ndaluan për t’u marrë në pyetje dhe u lanë të lirë mëngjesin e së mërkurës.
Kaili, e cila aktualisht drejton zyrën e politikës së jashtme në Parlamentin Europian, i cilësoi zhvillimet si pjesë të një “operacioni kundër Italisë”, i cili – sipas saj, po shkatërron karriera politike përpara se faktet të provohen dhe po vë në rrezik sundimin e ligjit.
Në deklaratat e saj për Politico, ajo e krahasoi rastin e Mogherini-t me trajtimin që i është bërë vetë asaj në skandalin Qatargate.
Kaili argumentoi se ajo që prokurorët e përshkruan si “ndikim të paligjshëm të huaj” nuk ishte gjë tjetër veçse diplomaci parlamentare e zakonshme, e mbështetur nga OJQ të financuara privatisht.
Pothuajse tre vite pas shpërthimit të skandalit, ajo theksoi se ende nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare kundër saj.
