Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, foli sot nga foltorja e Kuvendit ku akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin se po i shmangen interpelancës për rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dhënies së llogarisë për akuzat prej 50 milione euro te vjedhura ne Tunelin e Llogarasë.
Më herët kryeparlamentari Niko Peleshi deklaroi se nuk ishte pranuar kërkesa e PD-së për interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Bardhi akuzoi kryeministrin se po fshihej nga dhënia e llogarisë dhe interpelanca, teksa e kishte kthyer institucionin në zyrë avokatie.
Me 74 vota u rrëzua edhe kërkesa për interpelancë, kurse Bardhi në fjalën e tij tha:
“Siç e dëgjuat edhe kryeparlamentarin, zoti Rama ka zgjedhur edhe sot të fshihet. Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk është detyra jonë që ne të shqyrtojmë kërkesën që kryeministri ka dërguar në Kushtetuese. Ajo që kemi kërkuar është ndërhyrja institucionale e kryeministrit dhe marrjen në mbrojtje të një ministri të pandehur në lidhje me disa tenderë dhe kërkesa që ka dërguar në Kushtetuese në emër të Kuvendit, pa kërkuar konsultimin e Kuvendit”, shtoi deputeti i PD.
Më pas ai akuzoi kreun e qeverisë se po kërkon të ndërhyjë te Kushtetuesja, duke mbrojtur Ballukun:
“Ju thatë se do prisni vendimin e Kushtetueses, ndërkohë që Rama del të paktën 3 herë në ditë e flet me vete duke mbrojtur ministren, flet tre herë me selfi në ditë për ministren dhe për këtë hall. Ndërkohë që po i fshihet llogaridhënies në Kuvendin e Shqipërisë dhe për më tepër me shkresë këtu në Kuvend se nuk mund të shpreheni para vendimit të Kushtetuese. Ndërkohë që kemi numrin dy të qeverisë të pandehur për tendera. Është bërë kryeministri i parë në botë që ndërhyn në një çështje nën hetim. Ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, kundër saj, për masën ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Çfarë pune ka kryeministri që shndërron institucionin e qeverisë zyrën e avokatisë ndaj një të pandehure dhe bëhet palë, por shqiptarët e dinë përgjigjen për të pavërtetat e tij”, u shpreh ai.
Sipas Bardhir, kreu i qeverisë e ka pranuar me kërkesën e bërë se është palë në aferë. Keksa solli në vëmendje edhe rastin e Kosovës me Komisionin e Venecias, duke nënvizuar se qeveria shqiptare gënjeu për Ballukun.
“Ai vetë e pranon se është bashkëfajtor me Belinda Ballukun dhe duhet të ishte marrë bashkë i pandehur me të. Kërkesën e ka bërë për veten e vetë dhe jo për Ballukun, urdhëruesi për tenderin e Llogarasë është Rama e jo Balluku, ai e pranon me kërkesën që ka bërë në Kushtetuese, ai gënjeu në emër të Ballukut dhe na kujtoi vendime që nuk ekzistojnë të Venecias. Na sqaroi një opinion që nuk ekziston, e kishte sajuar, fliste gjëra që nuk ekzistojnë në asnjë opinion të Venecias, madje ai Komision ka thënë krejt të kundërtën, por Rama e bën për të manipuluar opinionin dhe të detyrojë Kushtetuesen të marrë një vendim. Kemi një rast të Komisionit të Venecias me Kosovën ku Venecia është shprehur qartë se ministri mund të pezullohet”, tha ai.
Në fund Bardhi deklaroi se GJKKO nuk i ka cenuar imunitetin Ballukut:
“Asnjë prokuror dhe asnjë gjykatë nuk ia ka cenuar garancitë që deputeti ka në imunitet, nuk është arrestuar dhe masat që janë vendosur nuk kanë nevojë për t’iu drejtuar Kuvendit”, përfundoi ai.
