“Do mbajmë përgjegjësi”- Berisha: Disa deputetë dhe anëtarë të Kryesisë që merrnin rrogë, u bënë drejtorë të PS

Pas analizës do ndahen funksionet në Partinë Demokratike dhe do mbahet përgjegjësi pasi të votojë edhe Kongresi Zgjedhor, por gjithçka do bëhet me debat brenda partisë dhe jo jashtë saj, duke u mbështetur vetëm në votë.

Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zhvillimet më të fundit në opozitë dhe nismës së Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit.

Ad
Njerëzit që vuajnë nga hemorroidet duhet ta lexojnë këtë!
Hemocure
Berisha pohoi se mbase duhet të kishin marrë në konsideratë disa denoncime gjatë fushatës se njerëz të PD po punonin për socialistët, por për shkak të intensitetit politik nuk u bë. Por ai premtoi analizë të thellë.

“Ka pasur edhe denoncime se persona të caktuar të PD po punonin për PS-në. Por ishte fushatë dhe fushata është fushatë. Mbase duhet edhe të merreshin masa, por nuk duhet të punosh kundër në betejë dhe të shmangesh”, tha Berisha.

Më tej kreu i selisë blu theksoi se ai nuk mund t’i jepte material Ramës që ta përdorte më pas për të zbutur raportin e OSBE-ODIHR dhe për të thënë se zgjedhjet ishin të lira, duke i qëndruar denoncimit të farsës elektorale, që sipas tij u faktua.

“Ka gjëra që duhen shpjeguar për simpatizantët, nuk kanë faj, duhen shpjeguar. Unë nuk mund t’i jepja material Ramës, atë nuk mund ta bëja. Mos të denonconim ne krimin elektoral, u bë përpjekje e jashtëzakonshme nga Rama që ne të mos e denonconim, kërcënim direkt nga Rama. Sikur të ishim në banditistan e jo në një vend të Evropës. Ka të tjerë që vraponin, o analizë tani direkt, që të jepnin material te Rama, për të dobësuar Raportin Rama pastaj. Ka të tjerë që prisnin që të mund të thoshin se këto ishin zgjedhjet më të mira. Të mohojnë farsën elektorale, narkodiktaturën dhe diktaturën elektorale, por këta janë skllevër, injorantë që nuk meritojnë liri, ne këtë e bëjmë për çdo shqiptar”, tha ai.

Berisha këmbënguli se analiza bëhet vetëm brenda partisë dhe jo jashtë saj, duke iu përgjigjur pyetjeve të përsëritura të gazetarëve për çështjet Salianji-Alimehmeti. Ai pranoi se do ndaheshin edhe funksionet dhe do pranohej ky mendim i sugjeruar, por kjo do ndodhte vetëm pas analizës dhe Kongresit Zgjedhor të PD.

“Kjo analizë behët vetëm brenda partisë, si ta duan, të hapur me mediat, të mbyllur, pa asnjë lloj hezitimi e kufizimi, si ta duan. Do e përcaktojmë me votë. Pas analizës shkojmë në Kongresin Zgjedhor. Po, ka mendime të qarta se duhet të ndahen funksionet, po, dhe kjo do ndodhë dhe të gjitha këto do bëhen me vullnetin e anëtarësisë demokratike dhe demokratëve e asgjë në funksione private”, tha ai.

Kreu i selisë blu shpjegoi se Alimehmeti në takimin që patën nuk kishte dërguar platformë politike dhe se ishte i bindur për farsën elektorale të Ramës në zgjedhje.

“Alimehmeti nuk ka sjellë asnjë platformë, kemi bërë një bisedë, i kam thënë pak a shumë këto që po ju them juve. Kemi statut dhe vullnet. Ama e them se unë Ramës nuk i jepja material kundër raportit të OSBE-ODIHR. Dy premtime kam bërë, se do mbroj votën, siç bëra më 2001, sepse do ishte tradhti ndaj demokratëve dhe raporti dhe ja ku është, nuk kam dalë kundër raportit”, përfundoi Berisha.

Berisha denoncoi edhe disa funksionarë politikë të PD-së, që gjatë fushatës punuan për PS dhe morën shpërblime si drejtora.

“E patë se pati nga ata demokratë në zgjedhje që kishin marrë edhe rrogën e deputetit në PD, që u bënë drejtora, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Ka dhe të tjerë dhe këto më mirë se unë i dinë vetë strukturat, që gjatë fushatës nuk kanë punuar asnjë ditë. Të tjerë shkuan me pushime gjatë fushatës. Apo punuan për PS-në”, u shpreh kreu i selisë blu.

Next