Rusia nisi një seri sulmesh ajrore gjatë natës në disa rajone të Ukrainës, vetëm disa orë pasi Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi një telefonatë “shumë konstruktive” me ekipin negociator të Donald Trump pas bisedimeve tre-ditore në Florida.
Kryebashkiaku i Kremenchukut raportoi një “sulm masiv” ndaj qytetit industrial, ndërsa infrastruktura e ujit, energjisë dhe ngrohjes u dëmtua rëndë. Nuk ka ende raportime për viktima.
Sipas autoriteteve ukrainase, qyteti qendror Kremenchuk u godit nga një “sulm i kombinuar” i Rusisë në orët e para të së dielës, ndërsa Moska njoftoi se kishte rrëzuar 77 dronë ukrainas në disa rajone.
Këto sulme ndodhën në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të çojë përpara një plan shumëpikësh paqeje mes Kievit dhe Moskës.
Pas përfundimit të bisedimeve në Miami, Zelensky deklaroi se kishte zhvilluar diskutime të thelluara me përfaqësuesit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke theksuar nevojën për garanci që Rusia do të respektonte çdo marrëveshje të ardhshme. Ai e përshkroi përpjekjen si “vendimtare” për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të shmangur rrezikun e një pushtimi të ri rus.
Aleatët evropianë dënuan valën e re të sulmeve ruse. Presidenti francez Emmanuel Macron i ofroi Kievit “solidaritet të plotë”, ndërsa liderët e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë pritet të takohen me Zelensky-n në Londër të hënën për të diskutuar propozimet e sigurisë për Ukrainën pasluftës.
Evropa vazhdon të shtyjë për garanci më të forta sigurie, përfshirë idenë e një force paqeruajtëse, një propozim kundërshtuar ashpër nga Presidenti rus Vladimir Putin, i cili paralajmëroi se çdo trupë e huaj në Ukrainë do të ishte “objektiv legjitim”./Top Channel
