Akuzohet se ‘përmbyti’ Belgjikën me k*kainë, mediet: Ja kush është shqiptari i arrestuar në Greqi?

Policia greke ka arrestuar Osmen Hoxhën (38 vjeç) në kryeqytetin Athinë.

Shqiptari është një nga të dyshuarit në një hetim të gjerë të Prokurorisë së Antverpës për trafik ndërkombëtar droge.

Prokuroria e Antverpës ka kërkuar ekstradimin e tij.

Hetimi për organizatën kriminale, pjesë e së cilës dyshohet se është 38-vjeçari Osmen Hoxha, ka nisur prej kohësh nga shërbimi hetimor lokal i zonës policore të Antverpës.

Hetuesit janë fokusuar te një rrjet kriminal që dyshohet se merret me importin dhe eksportin e kokainës përmes porteve të Antverpës dhe Roterdamit.

Organizata dyshohet se përdorte rrugë nga Amerika e Jugut, përfshirë Ekuadorin dhe Brazilin.

Konkretisht, hetuesit e lidhin organizatën me sekuestrimin e një sasie kokaine në Brake, Gjermani.

Gjithashtu bëhet fjalë për dy ngarkesa kokaine që dyshohet se janë trafikuar përmes skelës 730 në dokun Bevrijdingsdok në Antverpë.

Për të vepruar pa u penguar, organizata kishte ngritur kompani mbuluese dhe, sipas prokurorisë, përdorte komunikim të koduar dhe karta SIM të huaja.

Në mars të vitit 2025 dhe qershor 2024, dyshohet se në Antverpë dhe Bruksel janë zhvilluar takime mes kriminelësh, ku janë bërë marrëveshje për dorëzimin e ngarkesave të kokainës në mes të detit, pranë Ishujve Kanarie.

Në maj të këtij viti, hetuesit kryen kontrolle në disa zona në Antverpë, Deurne, Jette dhe Kontich. Pesë persona të moshës 29 deri në 55 vjeç u arrestuan. Edhe në Shqipëri u arrestua një i dyshuar.

Pas aksionit, Prokuroria e Antverpë publikoi një njoftim për shtyp ku përmendeshin dy persona që kishin ikur jashtë vendit.

“Ka dyshime se dy nga të përfshirët po planifikonin të siguronin shpejt para përmes veprave të dhunshme, plane që u penguan nga kjo ndërhyrje”, thuhej atëherë.

Në fund të nëntorit, Osmen Hoxha u arrestua në Athinë. Prokuroria nuk mund të thotë sot nëse 38-vjeçari Hoxha është një nga këta persona potencialisht të dhunshëm.

Megjithatë, zëdhënësi Kristof Aerts konfirmon se prokuroria i ka kërkuar Greqisë ekstradimin e tij.

Hoxha nuk do ta kundërshtojë ekstradimin, pasi preferon të gjykohet në Belgjikë dhe jo në Greqi.

Mediat greke raportojnë se urdhri i arrestit përmend sekuestrimin e gjysmë ton kokaine.

Next