Mbetjet e një anijeje argëtimi, rreth 2000 vjeçare, janë zbuluar në gjirin e Aleksandrisë, kryeqytetit të lashtë të Egjiptit gjatë periudhës helenike.
Kështu njoftoi sot Instituti Evropian për Arkeologjinë Nënujore (IEASM). Kiçi i anijes, e cila ishte 35 metra e gjatë dhe rreth shtatë metra e gjerë, u gjet në fund të portit të ishullit mbretëror të Antirhodos, i cili tani është i zhytur, tha instituti me seli në Aleksandri.
“Mbishkrimet në greqisht, të gjetura në ezotropion (trau përforcues) datojnë që nga gjysma e parë e shekullit të 1-rë pas Krishtit. Kjo forcon hipotezën se anija u ndërtua në Aleksandri” në një kohë kur ishulli mbretëror ende strehonte një pallat dhe një tempull kushtuar Isis, sipas të njëjtit burim.
Mjeti “kishte një kabinë, të dekoruar në mënyrë luksoze dhe duket se ishte përdorur për të lundruar me varkë”, shtoi instituti.
IEASM kujtoi se “më të famshmet nga këto anije argëtimi ishin pallatet gjigante lundruese të Ptolemenjve”. Kleopatra përdori njërën prej tyre “për t’i treguar Jul Cezarit pamjet e Egjiptit, në pranverën e vitit 47 para Krishtit”.

Frank Godio, drejtori i IEASM, prezantoi së fundmi një studim të detajuar të ishullit mbretëror dhe tempullit të tij të madh, bazuar në kërkimet nënujore të kryera nga zhytës arkeologë në zonë që nga vitet 1990.
Në vitet e mëparshme, u gjetën kolona, statuja, objekte të ndryshme dhe thesare të tjera që përfunduan në shtratin e detit pas një tërmeti, disa prej të cilave janë të ekspozuara në Muzeun Greko-Romak të Aleksandrisë, i cili paraqet historinë e portit të madh mesdhetar.
Hulumtimi pasues mbi kiçin e anijes së fundosur “do të jetë një udhëtim magjepsës në jetën, fenë, luksin dhe argëtimin në rrugët ujore të Egjiptit të lashtë gjatë epokës romake”, shtoi instituti.
Qyteti i Aleksandrisë, një pjesë e të cilit ishte gjithashtu e zhytur në kohët e lashta, konsiderohet si një nga zonat më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike për shkak të rritjes së nivelit të detit. Edhe në skenarët më optimistë të OKB-së, një e treta e qytetit mund të zhytet ose të bëhet i pabanueshëm deri në vitin 2050.
