Po dalin detaje të reja mbi largimin e pazakontë të Taulant Tomës nga njësia e sigurisë së lartë në burgun e Operas në Milano. Hetuesit italianë kanë rindërtuar skemën e përdorur nga 41-vjeçari, i cili ka mundur të largohet pa u vënë re, duke shfrytëzuar një plan të përgatitur me imtësi.
Sipas burimeve hetimore, Toma ka prerë hekurat e dhomës dhe ka përdorur çarçafë të lidhur për të zbritur në oborr. Më pas, ai ka ndërtuar vetë një vegël në formë ganxheje, rreth 6 metra të gjatë, e bërë me materiale druri, me të cilën ka kapërcyer murin rrethues. Lëvizja është kryer në momentin e ndërrimit të turnit të rojeve, çka besohet se i ka ndihmuar të shmangë vëmendjen.
Muri i jashtëm i burgut është i lartë 6 metra, por 41-vjeçari ka arritur të ngjitet e më pas të zhduket në errësirën e natës. Prej asaj kohe, strukturat e sigurisë në të gjithë Italinë janë në kërkim të tij, duke përdorur grupe të shumta terreni dhe analiza të pamjeve nga kamerat.
Taulant Toma është i njohur për aftësinë për t’u larguar nga institucionet ku ka qëndruar më herët. Në vitin 2013 u largua nga një burg në Parma së bashku me një tjetër të dënuar, dhe më pas u lokalizua pas disa muajsh në Belgjikë. Edhe aty, në një qendër pranë Liège, ai arriti të largohej sërish. Rasti i parë i dokumentuar i largimit të tij daton në vitin 2009, në burgun e Ternit.
Burgu i Operas, ku ndodhej deri së fundmi, strehon rreth 1338 persona dhe administrohet nga 533 oficerë. Aktualisht, Toma vijon të jetë i kërkuar në mbarë vendin, ndërsa hetimet po analizojnë çdo detaj të mënyrës së largimit dhe çdo mundësi të mundshme ndihme që ai mund të ketë pasur. /noa.al




