Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur sot në Foltoren e organizuar përpara Kryeministrisë, theksoi rëndësinë historike të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, duke rikujtuar lëvizjen e studentëve të dhjetorit 1990.
Berisha e cilësoi sheshin ku u mblodhën qytetarët si “sheshin e lirisë”, duke e lidhur simbolikisht me sakrificën e studentëve të asaj kohe.
Ai u ndal edhe te roli i gjeneratës Z, të cilën e përshkroi si “zëdhënësja më e guximshme e idealeve dhe aspiratave të kohës”, duke sjellë shembuj nga vende si Nepali dhe Bangladeshi, ku të rinjtë kanë qenë në ballë të përmbysjes së diktaturave.“Ju qytetarë të pranishëm në këtë shesh, sheshin e lirisë. Këto dy vite është folur shumë për gjeneratën Z. Gjeneratë që janë të rinjtë që në fakt përmbysën diktatura mizore, në Nepal, Bangladesh dhe në vende të tjera. Kjo gjeneratë është bërë zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlqyer e idealeve të kohës, aspiratave të kohës. Është kjo gjeneratë në krye të betejës për liri të shoqërisë njerëzore. Por po të kthehemi 30 vite më parë, studentët e Universitetit të Tiranë ishin në kushte të pakrahasueshme. Në Shqipëri ishte shtypur gjithçka. Një grup i vogël studentësh, nuk qenë dakord dhe një natë të 8 dhjetorit, dolën në protestë dhe në 1 të natës u pritën nga presidenti i Republikës së asaj kohë që pas takimit u rezervoi kërbaçin e sigurimit të shtetit”, tha Berisha.
