Kryetari i Partisë Demokratike i bëri thirrje sot (8 dhjetor) nga Foltorja para Kryeministrisë, të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve që të ngriheshin, për t’u përballur me të keqen për të lartësuar idealet e Dhjetorit.
Sali Berisha u shpreh para mbështetësve të tij në protestën e katërt radhazi ku kërkohet dorëheqja dhe largimi i zv/kryeministres Belinda Balluku dhe qeverisë “Rama”, se janë të vonuar në misionin e tyre për ta larguar me protesta të fuqishme këtë qeveri të korruptuar dhe se misioni do të jetë shpëtimi i vendit.“Ky mision ka të bëjë me shpëtimin apo shuarjen e kombit tonë. Ky mision ka të bëjë me shpëtimin apo shkatërrimin e familjes tonë. Ky mision ka të bëjë me zhvillimin apo rrënimin e Shqipërisë. Ky mision ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve apo zhdukjen e tyre. Midis të gjitha këtyre, çdo demokrat, çdo opozitar, çdo shqiptar zgjedh të ngrihet në lartësinë e idealeve të dhjetorit. Koha nuk pret. Çdo orë, çdo ditë që shkon jemi të vonuar”, u shpreh ai.
Kreu i selisë blu nënvizoi se kryeministri Edi Rama është armiku më i egër i lirive të shqiptarëve. Ku në 10 vitë janë përzënë nga vendi gati 70 për qind e popullsisë, kryesisht të rinj.
“Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, ky shesh, kombi pret nga ne të mos e lëshojmë, ta zëmë njëherë e mirë, ta mbajmë gjer në fitore. Edi Rama, armik i egër i lirive të shqiptarëve. Edi Rama vjen në këtë dhjetor si hajduti më i madh i kombit në të gjitha kohërat. Edi Rama vjen në këtë dhjetor si armik i egër i çështjes kombëtare dhe interesit të shqiptarëve. Por mbi të gjitha vjen në këtë dhjetor si armiku më i egër i rinisë shqiptare, i të rinjve shqiptarë. Përzuri në 10 vite, 70 për qind të të rinjve nga vendi. Rrënoi shkollat. Rrënoi të ardhmen e tyre”, akuzoi kryedemokrati mes të tjerash.
Në fund ai bëri apel për të gjithë shqiptarët që të ngriheshin në protesta të fuqishme dhe ta rrëzonin këtë regjim të korruptuar, pasi ishte momentin për t’u përballur me të keqen.v
