Mondi Mëhalla e dh*noi në karburant, kush është Oklid El Ouejdi që dyshohet se porositi e financoi vrasjen e biznesmenit! Prishja e marrëveshjes prej 700 mijë euro dhe arratisja drejt Maqedonisë

Një sherr për 700 mijë euro dyshohet se qëndron pas vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, krim i ndodhur mbrëmjen e 30 Nëntorit pranë karburantit të viktimës në Elbasan.

Sipas burimeve, rreth 10 ditë para ekzekutimit ka ndodhur një përplasje fizike mes Oklid El Ouejdi dhe biznesmenit në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”.

Dokumentet zyrtare tregojnë se prej janarit 2018, El Ouejdi ka të regjistruar në Elbasan biznesin e import–eksportit dhe tregtimit të automjeteve “SOLEIL”. Pikërisht marrëdhëniet tregtare të lidhura përmes kësaj veprimtarie mendohet se kanë qenë shkaku i konfliktit me Mondi Mëhallën.

Raportohet se viktima, i revoltuar për mosrealizimin e një marrëveshjeje tregtare me vlerë 700 mijë euro, ka ushtruar dhunë ndaj 35 vjeçarit, me origjinë nga Elbasani por me emër të ngjashëm me atë arab.

Oklid El Ouejdi, i njohur me nofkën “Kiço” dhe “Oliver”, në atë moment mësohet se ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, në momentin që u dhunua nga Mondi Mëhalla.

Në pamundësi për të shlyer detyrimin, “Kiço” dyshohet se kishte ofruar si kompensim 4 apartamente në Tiranë, por me probleme pronësie, gjë që ka shtuar tensionin mes tyre.

Burimet theksojnë se pas konfliktit fizik, El Ouejdi dyshohet se ka marrë masa për të organizuar eliminimin e biznesmenit. Ai dyshohet si personi që mund të ketë porositur dhe financuar vrasjen që ndodhi vetëm 10 ditë pas incidentit te “Xhaxhi Oil”.

Kush është 35-vjeçari

Oklid El Ouejdi, 35 vjeç, me origjinë nga Elbasani por me emër të ngjashëm me atë arab, njihet në qytet me nofkën “Kiço” dhe “Oliver”. Ai është gjithashtu si nipi i personazhit të njohur “Timit të Elbasanit”.

Nga të dhënat zyrtare, rezulton se El Ouejdi është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës për në Maqedoninë e Veriut.

Që prej ditës së vrasjes së Mondi Mëhallës, ai konsiderohet person kyç në hetime. Ndërsa vendndodhja e tij aktuale nuk është i konfirmuar, megjithëse dyshohet se qëndron në Maqedoninë e Veriut, ku ka rreth të gjerë njohjesh, përfshirë edhe Sheval Muharremin, i njohur si “Bosi i Gërçecit”.

Mondi Mëhalla, i njohur në Elbasan me nofkën Hyka dhe mik i ngushtë i Kei Piut, u ekzekutua me dy plumba në kokë, në një atentat të kryer me profesionalizëm, ndërsa autorët dogjën më pas makinën tip “Audi”.

Të arrestuarit

Deri më tani në pranga kanë rënë tre persona:

* Nevzat (Nevi) Spaho, nga Përrenjasi, i dyshuar si shoferi që ndihmoi autorin të largohej nga zona e Mirakës drejt Përrenjasit.

* Kujtim Pisha, punonjësi i karburantit, i cili akuzohet se nuk njoftoi policinë për informacionin që zotëronte.

* Xhino Ago, ortak në biznes me Mondi Mëhallën, dyshohet se nuk kishte ndryshuar pronësinë e “Audi”-t të përdorur në krim.

Në kërkim:

* Armando Kola (nga Laçi)

* Marselo Arani (nga Elbasani), i cili është arratisur duke thyer edhe masën “arrest shtëpie” që kishte për pastrim parash.

Roli i Naldi Gjinit

Figura kyçe në zbardhjen e rrjetit është Naldi Gjini, i shoqëruar fillimisht si person që kishte përdorur “Audi”-n disa ditë para vrasjes. Por për shkak të bashkëpunimit, ai nuk është proceduar.

Gjatë njohjes me fotografitë e të dyshuarve, Gjini ka identifikuar:
• Nevzat Spahon
• Armando Kolën
• Marselo Aranin

Ai ka vendosur gishtin tregues tek fotot e tre personave, duke forcuar dyshimet e policisë për përfshirjen e tyre në ngjarje.

Pamjet filmike nga një garazh te “21 Dhjetori” konfirmojnë gjithashtu prezencën e Marselo Arani, i cili shihet duke përdorur “Audi”-n që u përdor në atentat, pak ditë para ngjarjes.

Sipas burimeve nga autoritetet hetimore, pista më e fortë mbetet ajo e konfliktit financiar midis Mondi Mëhallës dhe Oklid El Ouejdit, që nisi me mosrealizimin e marrëveshjes 700 mijë euro dhe u përshkallëzua me përdorimin e dhunës fizike, ndërsa përfundoi me vrasjen e biznesmenit.

Oklid El Ouejdi mbetet personi kyç që policia kërkon të marrë në pyetje. Largimi i tij drejt Maqedonisë së Veriut, lidhjet e shumta në territor dhe roli i dyshuar në porositjen e atentatit e vendosin atë në qendër të dosjes së hetimit.

Autoritetet po punojnë për lokalizimin e tij dhe kapjen e dy të kërkuarve të tjerë, ndërsa hetimet pritet të kenë zhvillime të tjera të rëndësishme në orët dhe ditët në vijim. Panorama

Next