“Ndër të parët që e dinte për lidhjen me Gerin”, Vesa Luma për humbjen e Shpat Kasapit: Nuk e kisha imagjinuar…

Ditët e fundit të nëntorit, data 26, u përmbyllën me lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Shpat Kasapit. Këngëtari ndërroi jetë papritur në moshën 40-vjeçare nga një atak kardiak, çka tronditi botën e muzikës dhe fansat.

Mes shumë miqsh që ndanë ngushëllimet dhe kujtimet e tyre, ishte edhe Vesa Luma. “Si ta dëgjojmë tani këngën më të lumtur shqiptare Shpat… Pusho në paqe mik, ke lënë një zbrazëti shumë të madhe në zemrat tona, por ke bërë të lumtur me miliona shqiptarë me këngët e tua, ato të paktën do të jenë të pavdekshme”, shkroi këngëtarja krah një videoje në rrjetet sociale.Në programin “Rudina” në Tv Klan, këngëtarja kujton momentin e marrjes së lajmit tronditës. Ajo e kujton artistin e ndjerë si një mik dhe njeri që ka përcjellë gjithnjë mirësi. Vesa thotë se ai ka qenë ndër të parët që e dinte për lidhjen e saj me Big Bastën. Humbja e tij ka sjellë shumë trishtim, por e ka bërë të reflektojë për jetën dhe të papriturat e saj.

Rudina Magjistari: Ku ishe kur e more lajmin, e mban mend momentin?

Vesa Luma: Tani që po flas po rrëqethem. Ishte mëngjes nëse nuk gaboj dhe më dërgoi Geri një mesazh dhe më tha s’ka mundësi, nuk është e vërtetë se portalet shkruajnë dhe shpeshherë ka ndodhur që kanë qenë të pavërteta dhe pastaj kur e kuptova që kishte ndodhur, thjesht isha në shok dhe kam qenë për dy-tri ditë në shok total. Shpati është nga ata njerëz dhe artistë që nuk e di, gjithmonë kemi menduar që do të jenë aty. Janë disa njerëz, disa artistë që as nuk i imagjinon ndonjëherë që mund të shuhen në atë moshë. Shpati ka qenë një ndër miqtë tanë i cili i pari e ka ditur për lidhjen time me Gerin, madje kemi qenë në të njëjtën kohë në “Dancing Ëith The Stars” dhe ne kemi qenë në të njëjtin hotel bashkë dhe ishte ai që ma bënte “mos ki merak se do ta thërras Gerin dhe do të takoheni këtu”, domethënë një dashuri, një mirësi që ka transmetuar ai djalë për të gjithë, një djalë që nuk ka ditur kujt t’i thotë ndonjë fjalë të keqe apo ndonjë mendim ndryshe edhe pse kishte kohë që s’e kisha parë sepse na ka ndarë edhe largësia, por sa herë e kemi parë, sa herë e kemi takuar, gjithmonë me atë buzëqeshjen e tij. Të them të drejtën, nuk më kishte ndodhur, nuk e di kur më ka ndodhur për herë të fundit që të qaja gjatë gjithë ditës, kam pasur edhe një event që nuk kisha mundësi të isha aty sepse nuk isha në gjendje të mirë emocionale. Më mësoi shumë, më bëri të reflektoj shumë që jeta qenka shumë e shkurtër, ta kalojmë kohën sa më shumë me familjen, me prindërit, me shoqërinë, e shohim shpeshherë veten duke vrapuar pas gjërave që mendojmë për momentin që do të na ngrenë në majë, do të kapim ritmin dhe harrojmë që gjëja kryesore është prezenca me familje, me miq. Shfrytëzoj rastin t’i ngushëlloj fansat e Shpatit, miqtë, kolegët të cilët realisht e paskan dashur shumë.

Next