Protestat e fermerëve grekë janë përshkallëzuar edhe më shumë. Sot ato janë shtrirë edhe në Kretë, ku ka pasur edhe përplasje me policinë.
Aeroporti “Nikos Kazantzakis” në Heraklion është bllokuar nga të dy hyrjet, pasi fermerë të shumtë kanë mbërritur me traktorë dhe mjete të tjera, në kuadër të protestës së përgjithshme të bujqve dhe blegtorëve.
Përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë janë regjistruar edhe në Hania.
Gjatë tensioneve atje, fermerët kanë përmbysur një automjet të policisë, ndërsa dëme ka pësuar edhe një tjetër furgon policor, i cili u godit me gurë dhe më pas u tërhoq nga zona.
Në rrugën Senetaki në Heraklion policia ka ngritur një barrikadë, ndërsa fermerët dhe blegtorët thonë se do të arrijnë në aeroport “me çdo kusht”, me qëllim që ta bllokojnë atë.
Përpjekjet për të çarë kordonin e policisë sollën përdorimin e gazit lotsjellës nga efektivët, duke shkaktuar edhe incidentet.
Ndërkohë, mjete bujqësore janë parkuar përgjatë autostradës, duke bërë që aksi nga Heraklioni drejt aeroportit të jetë praktikisht i pakalueshëm.


