Ish-ambasadori Amerikan në Tiranë në vitet ’90 Christopher Hill, i cili po qëndron në Tiranë këto ditë është pyetur edhe për ‘non gratën’ e dhënë ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Hill është shprehur se, nuk do të kishte zgjedhur asnjëherë sanksionet, shpalljen ‘non grata’ për kryedemokratin, Sali Berisha.
“Shiko, unë kam opinionet e mia personale për këtë, se a janë këto lloj sanksionesh të dobishme apo jo. Si rregull i përgjithshëm unë jam një person që nuk zgjedh sanksionet si mjetin e parë, zgjedh dialogun, që do të thotë të përpiqesh të zgjidhësh gjërat, por nuk jam në pozicion të komentoj ndonjë deklaratë për sanksione’, ka deklaruar ish-ambasadori Chris Hill për TCH.
Ai u ndal edhe te roli i ish-ambasadorëve në debatet aktuale politike, duke theksuar se është e gabuar që ish-diplomatët të ndërhyjnë publikisht në çështje të ndjeshme.
‘Mendoj se do të ishte një gabim, për një ish-diplomat amerikan të vinte të bënte shumë komente për këtë. Nuk besoj se ndihmon askënd’, ka theksuar, ish-ambasadori Christopher Hill.
