Berisha për kthimin në detyrë të Ballukut: Kushtetuesja i dha licencë Ramës, që të vjedhë sa të dojë

Berisha përsëriti se me Ramën nuk ka zgjedhje dhe ftoi qytetarët në protestën kombëtare të Partisë Demokratike
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim publik, sot më datë 14 dhjetor 2025, komentoi vendimin e Kushtetueses, që riktheu në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Berisha tha se Kushtetuesja i dha licencë Ramës, që të vjedhë, aq sa ai dëshiron.
“Kushtetuesja i dha kohë Ballukut që të vijojë vjedhjet. Gjykata Kushtetuese i dha licencë Ramës, që të vjedhë sa të dojë. GJK nuk mund të hiqte masën e pezullimit. Kjo gjykatë u kthye në gjykatë që autorizon vjedhjet e qytetarëve shqiptarë. Kjo goditje ndaj akuzës, bën që Rama e Balluku të jenë të qetë, duke pasur bindje se janë të paprekshëm. Prandaj, opozita ka vendosur të zhvillojë protestë kombëtare”, tha Berisha.

Më tej, Berisha përsëriti se me Ramën nuk ka zgjedhje dhe ftoi qytetarët në protestën kombëtare të Partisë Demokratike.

“Edi Rama përdori të gjitha mjetet shtetërore për të fituar zgjedhjet. Ai dhunoi nen për nen, parimet e Kartës së Kopenhagen, Kodin e Venecias. Përdori bandat për të vjedhur zgjedhjet. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën, ka vetëm farsë. Andaj, PD bën thirrje ndaj çdo demokrati dhe çdo qytetari, që të protestojë kundër këtij kryeministri, deri në rrëzimin e tij. Edi Rama nuk i ka fituar kurrë zgjedhjet. Ne arritëm t’i vërtetojmë mbarë botës, që Rama arriti të vjedhë zgjedhjet. Po Rama, zgjodhi pa votat e opozitës dhe Avokatin e Popullit. Ne dhe nxituam, për firmat në fillim, por që u tërhoqëm më pas. Endrit Shabani nuk u zgjodh Avokat Populli nga votat e opozitës”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se është koha e misionarëve. Ai shtoi se PD do të bëjë protesta, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Do të protestojmë deri në rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Kjo është koha e misionarëve. Në lidhje me protestën e Adriatik Llapajt, ne e mbështesim protestën e tij dhe patjetër që mirëpresim çdo opozitar. Edi Rama është dhunuesi i votës së lirë së shqiptarëve përpara Europës dhe botës. Dje, Fox News raportonte për atë që ndodh në Shqipëri, duke bërë luftën kundër korrupsionit një iluzion në këtë vend”, deklaroi Berisha.

Next