Në një lidhje live me gazetaren Esmeralda Mulaj, gazetari Sokol Brahaj ka dhënë detaje të reja lidhur me incidentin tragjik të djegies së hotelit Grand Kartal, në malet e Koroglus. Brahaj ka treguar se shkëndija e parë e zjarrit ka ndodhur në restorantin e hotelit, dhe më pas zjarri është përhapur me shpejtësi në gjithë strukturën.
Advertisements
“Në orën 03:30 të natës, në lokalin e hotelit ka rënë një shkëndije, një masë ende nuk dihet saktësisht, por aty thuhet se ka filluar zjarri dhe për 15 minuta ka përfshirë të gjithë hotelin,” tha ai.
Advertisements
Gazetari theksoi se menjëherë pas zjarrit në media kishte kritika dhe shqetësime të shumta për mungesën e një stacioni zjarrfikës në afërsi të hotelit.
“Në fillim u fol dhe kishte kritika pse nuk kishte zjarrfikëse pranë një vendi turistik, pasi zjarrfikësja më e afërme me hotelin është 45 minuta larg,” theksoi Brahaj.
Ai shtoi se hoteli, i konsideruar si një nga më të mirët dhe më të sigurtët, ngjall shumë pyetje për shkakun e këtij zjarri, për të cilat priten ende rezultatet nga hetimet.
“Ky ka qenë hoteli më i mirë, më i madh, më luksoz dhe më i sigurtë, por ka shumë pikëpyetje mbi zjarrin, ku gjithsesi priten rezultatet nga hetimet,” shtoi Brahaj.
Një tjetër detaj i rëndësishëm ishte humbja e jetës së disa personave të njohur, duke përfshirë figura të shquara të sportit, artit, shkencës dhe biznesit.
“Kanë vdekur njerëz të njohur të botës turke të sportit, të artit, të shkencave dhe biznesmenë të mëdhenj, pasi në Turqi ishte një pushim dyjavor zyrtar dhe shumica e këtyre familjeve kishin shkuar për të bërë dhurata për të afërmit dhe fëmijët e tyre këto pushime,” tha gazetari.
Në përfundim, ai theksoi se kjo tragjedi ka prekur edhe profesionistë të medias.
“Në këtë tragjedi ka humbur jetën dhe një gazetar me familjen e tij,” përfundoi Brahaj.
Brahaj konfirmoi dhe informacionet nga mediat ndërkombëtare ku thuhet se numri i viktimave nga zjarri në hotelin turk ka shkuar në 76 ndërsa për këtë ngjarje të rëndë ka folur edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i cili ka paralajmëruar për ndjekje penale për përgjegjësit në lidhje me këtë incident tragjik.