Zgjedhjet Parlamentare 2025: Numërohen mbi 70% e votave – PS në avantazh të thellë, PD mban vendin e dytë. Ja si ndahen mandatet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, pasi janë numëruar mbi 70 për qind e kutive të votimit (3674 nga 5225), ora 21.13.

    Sipas të dhënave të fundit, Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson me një avantazh të ndjeshëm, duke siguruar 52.48 për qind të votave, e ndjekur nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 34.12 për qind.

    Në vend të tretë renditet Partia Socialdemokrate (PSD) me 3.63%, e ndjekur nga Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 3.53% dhe Partia Mundësia me 2.87%. Subjektet e tjera politike kanë marrë më pak se 2 për qind të votave, ndër to: Lëvizja Bashkë (1.33%), Partia Koalicioni Euroatlantik (1.24%) dhe Koalicioni Djathtas për Zhvillim (0.39%).

    Nga votat e numëruara deri tani, Rama ka siguruar 82 mandate kurse Berisha 30 më pak. Tom Doshi 3 mandate, Arlind Qorri, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, një mandat për secilën forcë politike që përfaqësojnë.

    Pjesa tjetër e subjekteve politike ka performuar dobët, me rezultate nën 1 për qind, si Lëvizja Atdheu, Aleanca Kombëtare Shqiptare, Aleanca Demokracia e Re, etj.

    Numërimi i votave vijon në qendrat e mbetura, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të përmbyllen brenda ditës së nesërme. /noa.al