I FUNDIT

Berisha: Ja si kanë ndërhyrë kartelet e Troplinëve dhe Xhabaftëve në zgjedhje! Famozin Arkend Balla e kanë projektuar për ministër të Brendshëm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi dje përmes një postimi në rrjetet sociale vizitën zyrtare të Ndihmës Drejtorit të ICITAP të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Stephen Fields, i cili qëndroi në Shqipëri nga 19 deri më 23 maj.

Sipas Ambasadës, gjatë vizitës së tij, z. Fields u takua me të Ngarkuarën me Punë Nancy VanHorn, si dhe me zyrtarë të tjerë të ambasadës dhe drejtues të institucioneve të zbatimit të ligjit në vend, për të theksuar partneritetin e fortë mes SHBA dhe Shqipërisë.

Ai përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA në luftën kundër karteleve, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe emigracionit të paligjshëm.

Lidhur me këtë mesazh të SHBA-ve, ka reaguar sot edhe kryedemokrati Sali Berisha.

REAGIMI I BERISHES
SHBA, përmes të dërguarit të saj, kërkojnë nga autoritetet shqiptare të luftojnë kartelet e drogës.

Unë e përshëndes këtë kërkesë, si një kërkesë të një rëndësie shumë të madhe.

Por theksoj gjithashtu se kreu i karteleve të drogës, të Troplinëve, Çelajve, Bajrëve, etj, ndodhet në karrigen e kryeministrit të Shqipërisë dhe ky është Edi Rama.

Operacioni i fundit, i quajtur Ura, nxori lakuriq, si anëtar të kartelit më të rrezikshëm të Ballkanit dhe Europës, që është karteli Troplini, sepse është karteli që zotëron 100 përqind Portin e Durrësit, anëtarët e këtij karteli janë Ergys Agasi, Altin Dumani, Vangjush Dako, Edi Rama.

E vërteta është se Ergys Agasi, Elvis Doçi, Vangjush Dako dhe Edi Rama, gjatë fushatës elektorale kanë zhvilluar një seri takimesh sipas burimeve, dëshmitarëve, në vilën e Vangjush Dakos në plazhin e Durrësit.

Por vetë operacioni Ura zbulon Altin Dumanin, Irena Gjokën, Ergys Agasin dhe Edi Ramën si anëtarë apo drejtues të kartelit.

Autoritetet italiane prunë urdhër-arrestet me datën 19 shkurt.

Nga kjo, Irena me 5 mbiemra, delinkuente, e dënuar me burg në vendin fqinj dhe që mbahet si turpi i drejtësisë shqiptare në detyrë nga Edi Rama dhe KLGJ-ja e tij, mbajti dosjen 42 ditë.

Pas 42 ditësh, ajo firmosi, por Altin Troplini alias Dumani, e mbajti dosjen edhe 20 ditë të tjera, nga data 30 prill deri më datën 20 maj, sa bosi i kartelit, Elvis Doçi, iu dha koha e mjaftueshme për të përmbushur misionin, për të transferuar, për të fshehur të gjitha tonelatat e tij me kokainë dhe narko-euro dhe tani jeton i qetë.

Altin Troplini në pafytyrësinë më të madhe u deklaroi shqiptare se shtymë arrestin, të marrë vesh me autoritetet italiane dhe të tjera.

Ky është një mashtrim i turpshëm që ai u ka bërë autoriteteve italiane dhe autoriteteve të tjera si bashkëpunëtor në një krim të rëndë me kartelin më të fuqishëm të drogës në Europë, kartelin që disponon portin kryesor të vendit.

Tani, për të ilustruar disa momente të ndërhyrjes së kartelit Troplini në zgjedhje, kemi këtu famozin Arkend Balla, për të cilin dje zyra e shtipit të Edi Ramës shpërndante editoriale që i botonin lakejtë e tij, duke e marrë në mbrojtje se çfarë malli është ky.

Arkend Balla, në vitin 2021, kur kumbarët e kartelit nuk e kishin rekrutuar akoma, mori 2463 vota.

Arkend Balla në vitin 2025, nën patronazhin e kartelit Troplini, Elvis Doçit, mori 20718 vota.

Pra këtij pothuaj iu dhjetëfishuan votat në patronazhin e kartelit Troplini.

Arkend Balla ishte premtuar dhe është premtuar për ministër i Brendshëm i kartelit Troplini pas zgjedhjeve.

Ndaj dhe dje, zyra e shtypit të kryeministrit, u shpërndante editoriale portaleve të kontrolluara prej qeverisë dhe krimit, me të cilat përpiqeshin të mirësonin imazhin e Arkend Ballës, e këtij produkti të kartelit Troplini.

Në vitin 2021, Orlando Rakipi ka marrë 3528 vota në Vorë, natyrisht i mbështetur nga Xhabaftët pa diskutim.

Në vitin 2025, votat e tij pjesëtohen me dhjetë sepse ka hyrë në garë Blendi Xhabafti. Ministri Xhabafti ka marrë 4759 vota dhe i dyti pas tij ka marrë 10 herë më pak vota.

Për të parë këtu efektin e kartelit Xhabafti, që ka portën hyrëse të Tiranës. Kontrollon hyrjen e Tiranës.

Ja ku është banditi, shkon dhe kërcënon te qendra e votimit për Blendi Gonxhen. Ky është anëtar i kartelit.

Ja zgjedhjet në Vorë. Kur karteli i drogës Xhabafti, shkon dhe terrorizon qytetarët në hyrje të qendrës së votimit.

Të dënuar në Itali për drogë, droga në Tiranë futet nëpërmjet tyre. Kontrollohet prej tyre, këta marrin përqindjen.

Opozita këto mund të bëjë, opozita nuk arreston dot njeri.

Pra, u njohët këtu me një ilustrim mbi brutalitetin e karteleve të drogës, kartelit Troplini dhe kartelit Xhabafti në rezultatin e zgjedhjeve.

Por këtu tek karteli Troplini mund të themi se Arkend Balla është vetëm njëri prej deputetëve, se janë trefishuar votat edhe Ilir Ndrazhit. Edhe ky është në patronazhin e kartelit të famshëm të Troplinëve, etj.

Është shumë interesante, dëgjoni, Arkend Balla ka marrë 5 mijë vota më shumë se Edi Rama në vitin 2021.

Ministri i Brendshëm i kartelit Troplini ka marrë 5 mijë vota më shumë se Edi Rama.

Se ç’është një këtu një Erion Meka, që ka marrë në vitin 2021, 2200 vota, në vitin 2025, 3400 vota, pra nuk ka pasur ndonjë lëvizje domethënëse.

Është po kështu i mbështetur nga karteli Troplini, Gjushi dhe Gys Agasi është edhe Ani Dyrmishi, i cili ka marrë 13700 vota.

Siç e shihni, vetëm në rrethin e Durrësit, karteli Troplini i ka dhënë Edi Ramës, kreut të kartelit, me 4 deputetë, rreth 50 mijë vota.

Pa llogaritur votat në zonat e tjera.

Ndaj dhe uroj që së shpejti të dekretohen si organizata terroriste, të cilat rrënojnë të ardhmen e këtij vendi, shkatërrojnë normat demokratike, demokracinë, por edhe ekonominë nëpërmjet narkoeurove dhe narkoekonomisë.