’72 orë në serum’/ Helmimi i fëmijëve të kopshtit me salmonelë, Prokuroria nis hetimet! Prindërit mblidhen në protestë para Bashkisë së Gramshit

Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me helmimin e fëmijëve të kopshtit me salmonelë, në Gramsh, ku janë sekuestruar kartelet e fëmijëve dhe procesverbali i kontrollit të ushqimeve.

Ndërkohë, prindërit përpara bashkisë së Gramshit po protestojnë në lidhje rastin, të cilët kërkojnë zbardhjen e ngjarjes.

“Fëmija është më shumë se 72 orë në serum. Te fëmija im ka qenë rasti i pari. Pasi dolën analizat, e kemi trajtuar në shtëpi fëmijën. Fëmija kishte të vjella e diarre çdo 10 minuta.

72 orëshi ishte një tmerr. Kam binjakë dhe shyqyr që fëmija tjetër nuk u sëmur. Jemi të bindur se fëmijët janë helmuar në kopsht. Nusja thotë se kanë konsumuar supën e pulës, nga informacione jozyrtare. Kam frikë se mos përhapet sëmundja dhe fëmijën po e mbaj në banesë”, thote nje nga prinderit.

Në një e-mail zyrtar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) në Gramsh, ku konfirmohet përhapja e infeksionit me ‘Salmonella Enteritidis’ në Kopshtin Nr. 1 të qytetit.

Deri tani janë identifikuar 14 raste pozitive mes fëmijëve dhe stafit, ndërsa strukturat shëndetësore lokale janë udhëzuar të tregojnë kujdes të shtuar për parandalimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të situatës.

NJVKSH i bën thirrje të gjitha qendrave shëndetësore dhe Spitalit Bashkiak për bashkëpunim të ngushtë dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.

Njoftimi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gramsh:

Ditët e fundit, në Kopshtin Nr. 1 në qytet janë paraqitur disa raste të fëmijëve me simptoma gastrointestinale (diarre, temperaturë, të vjella, dobësi). Janë marrë masa të menjëhershme për hetimin dhe menaxhimin e situatës nga strukturat përkatëse dhe po vijojnë analizat laboratorike për të përcaktuar shkakun.

Nga 79 persona të depistuar (fëmijë dhe staf), janë identifikuar 14 raste me Salmonella Enteritidis. Prej tyre, 5 raste janë zbuluar nga mostrat për diagnozë dhe 9 raste nga depistimi. Nga 72 ekzaminime të bëra për depistim, 53 kanë rezultuar negativë, 6 nuk kanë pasur rritje bakteriale, dhe 6 janë në pritje të rezultatit. Në këtë kuadër, kërkojmë vigjilencë të shtuar nga të gjitha Qendrat Shëndetësore për:

Vëzhgimin dhe identifikimin e fëmijëve me simptoma të ngjashme.

Raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar pranë NJVKSH Gramsh.

Ndjekjen nga afër të gjendjes shëndetësore të fëmijëve të Kopshtit Nr. 1, si për ata të prekur, ashtu edhe për ata që kanë rezultuar negativë.

Informimin e komunitetit mbi rëndësinë e higjienës personale dhe ushqyerjes së sigurt të fëmijëve.

Lutemi për bashkëpunim dhe gadishmëri maksimale për ta përballuar këtë situatë me seriozitet dhe profesionalizëm.

NJVKSH Gramsh

Drejtore: Besmira Bracja