‘Shqipëria në Letoni për fitore’/ Silvinjo dhe Asllani kërkojnë 3 pikët për ëndrrën e Botërorit

Kombëtarja shqiptare ndodhet në Letoni, ku nesër do të luajë takimin e katërt të Grupit K në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026. Pas barazimit zhgënjyes me Serbinë në Tiranë dhe penalltisë së humbur, kuqezinjtë kanë vetëm një objektiv në këtë sfidë: fitoren.

Në prag të ndeshjes, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën në një konferencë për shtyp, ku theksuan rëndësinë e këtij takimi për vazhdimësinë në grup dhe për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën play-off.

Asllani tha se ekipi është i motivuar maksimalisht dhe se Letonia është një kundërshtar i vështirë, me një trajner italian që e organizon mirë taktikisht skuadrën.

“Duhet të karikojmë bateritë. Na duhen 3 pikë për ëndrrën tonë. Nuk mendoj për veten, por për ekipin dhe si mund ta fitojmë këtë ndeshje,” tha Asllani.

Nga ana tjetër, Silvinjo pranoi se ndeshja e dytë brenda pak ditëve është gjithmonë e vështirë dhe konfirmoi se do të vlerësojë gjendjen fizike të lojtarëve për të vendosur formacionin. Ai mori përgjegjësinë për penalltinë e humbur nga Rey Manaj kundër Serbisë, duke theksuar se ishte ai që caktoi ekzekutuesin.

“Përgjegjësia për penalltinë është e imja. Kam ndjekur goditjet e lojtarëve në stërvitje dhe vendimi ishte imi. Manaj ka eksperiencë dhe personalitet. Ndeshja me Letoninë është e rëndësishme, por nuk mund ta quajmë deçizive. Duam të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur,” tha Silvinjo.

Tekniku brazilian la të hapur mundësinë për ndryshime taktike dhe theksoi se ka alternativa të shumta për çdo repart. Ai shtoi se shumica e lojtarëve janë në formë të mirë pas sezonit të gjatë me klubet e tyre.

Në renditjen e Grupit K, Anglia kryeson me 9 pikë në 3 ndeshje, Shqipëria është e dyta me 4 pikë, Letonia e treta me 3 pikë, Serbia me 1 pikë dhe Andorra pa pikë.