Faqja e bashkisë së Tiranës, Tirana.al, u sulmua dhe doli jashtë funksionit nga rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice”, të njëjtët që bënë sulmin e madh kibernetik në vitin 2022, ndaj shërbimeve shtetërore online në vendin tonë.
Ky grup i sofistikuar hakerësh pranoi se fshihet pas sulmit në një postim në aplikacionin “Telegram”, duke e lidhur me mbështetjen që qeveria shqiptare i jep muxhahedinëve , organizatës që lufton regjimin laiko-autoritar të Teheranit dhe që është strehuar prej vitit 2013 në selinë e saj në Manzë të Durrësit.
Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve ka reaguar se do informojë së shpejti mbi afatin e shtyrjes së aplikimeve. Në njoftim theksohet se procesi i aplikimeve do të pezullohet deri në momentin që platforma do të jetë funksionale.
“Ju informojmë se për shkak një problematike të serverave të Bashkisë Tiranë, linku i Platformës së Aplikimeve për Regjistrimin e Fëmijëve në Çerdhet dhe Kopshtet Publike e-femijet tirana.al nuk është funksional. Në këtë kuadër procesi i aplikimeve do të pezullohet deri në momentin që platforma do të jetë funksionale. Në vijim do t’ju informojmë kur platforma do të jetë përsëri funksionale dhe mbi shtyrjen e afatit të aplikimeve”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve.