Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike “Lungomare”, policia heq tavolinat dhe karriget e bizneseve

Prej mbrëmjes së së premtes, në shëtitoren Lungomare ka nisur një tjetër aksion për lirimin e hapësirave publike, me fokus heqjen e tavolinave dhe karrigeve të vendosura nga bizneset përgjatë këtij segmenti shumë të frekuentuar gjatë sezonit veror.

Në kuadër të këtij aksioni, bashkia u ka drejtuar një njoftim të gjitha subjekteve private, duke i kërkuar që të largojnë vullnetarisht objektet nga shëtitorja. Të shtunën në mëngjes, në terren ka vepruar edhe Policia Bashkiake, për të ndihmuar në zbatimin e masave dhe për të liruar hapësirat publike të zëna.

Ajo që vlen të theksohet është se shumica e bizneseve kanë qenë të pajisura me leje për ushtrimin e aktivitetit, dhe madje kanë vendosur tavolina e karrige me leje të dhënë më herët nga autoritetet.

Megjithatë, këto leje janë anuluar rishtazi, dhe subjekteve u është kërkuar të lirojnë shëtitoren, duke rikthyer hapësirën publike për qytetarët dhe vizitorët.