Kreshnik Ajazi, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, tha për mediat se çështja u zgjidh pas bashkëpunimit me një anëtar të grupit kriminal që pranoi të flasë me autoritetet.
“Arrestimi i tij në Britani dhe ekstradimi i mundshëm nga gjykatat britanike përbën një sukses të madh dhe pasqyron marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve në fushën e drejtësisë penale,” – tha Ajazi.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se “Mbretëria e Bashkuar ka marrëveshje të gjera bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shqipërinë, për të mos lejuar që vendi të bëhet strehë për ata që duan t’i shpëtojnë drejtësisë.”
Sipas një burimi zyrtar të Home Office, Britania ka marrëveshje të posaçme ekstradimi me Shqipërinë, edhe pse ajo nuk bënte pjesë në sistemin e urdhër-arresteve europiane përpara daljes nga BE.
Në vitin 2023, The Telegraph raportoi se mbi 12 mijë shqiptarë kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet Kanalit të La Manshit vetëm gjatë vitit 2022. Brenda katër muajve të parë të atij viti, 80 shtetas shqiptarë u dënuan me gjithsej 130 vite burg. Falë marrëveshjeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Britanisë për goditjen e krimit dhe deportimet e përshpejtuara, numri i shqiptarëve që kaluan ilegalisht në 2023 ra në vetëm 630 persona.