Avionët në qiellin e Italisë veriperëndimore u ndalën mbrëmjen e djeshme për disa orë për shkak të një problemi në rrjetin e qendrës radarike që menaxhon trafikun ajror të zonës. Dhjetëra fluturime që po vinin dhe largoheshin nga disa prej aeroporteve kryesore të vendit u anuluan, u vonuan ose u rikthyen në aeroportet e origjinës, pasi hapësira ajrore mbi Lombardinë, Piemontein dhe Ligurinë u bë e papërdorshme për shkak të një problemi në Qendrën e Kontrollit të Zonës.
Ngritjet rifilluan rreth orës 22:15, edhe pse fillimisht me vonesa të mëdha. Por më pas pati një ndalim të ri të flukseve dhe një autorizim të mëvonshëm të kufizuar ndjeshëm, i cili zgjati gjatë gjithë natës.
Zyrat në Milano të menaxhuara nga Enav patën një defekt në sistemin e transmetimit të të dhënave. Problemet e para u shfaqën rreth orës 20:20 dhe rreth orës 20:40 u vendos të shpallej “rateo zero” në të gjithë zonën, duke ndalur de facto çdo lëvizje. Sipas asaj që mësohet, nuk bëhej fjalë për një ndërprerje informatike, por për një përkeqësim të lidhjes së rrjetit. Si rezultat, avionët që niseshin dhe mbërrinin në Milano Malpensa, Linate, Bergamo, Torino dhe Genova nuk mundën të vazhdonin me planet e tyre të fluturimit siç ishin parashikuar.
Mbi 300 fluturime u prekën nga problemi, me mijëra pasagjerë që u detyruan të zbresin në pritje të zgjidhjes së defektit. Si pasojë, pati vonesa edhe në aeroportet fqinje (si për shembull ato venete), të cilëve iu kërkua të ‘strehojnë’ disa avionë që fillimisht do të zbrisnin në Veriperëndim.
“Në Qendrën e Kontrollit të Zonës së Milanos, përgjegjëse për menaxhimin e trafikut ajror në zonën veriperëndimore të vendit, ka ndodhur një ngadalësim në sistemin e transmetimit të të dhënave”, konfirmoi Enav në një njoftim zyrtar. “Për të garantuar standardet më të larta të sigurisë operative, u vendos pezullimi i përkohshëm i nisjeve dhe mbërritjeve në aeroportet e prekura.” Në buletinet e dërguara për pilotët dhe kompanitë ajrore, Eurocontrol — agjencia që mbikëqyr qiellin evropian”, njoftoi për “dështim të radarit”.